Të hënën dorëheqje nga Kotevski, por edhe raport nga hetimi për incidentet


Pas dy incidenteve që ndodhën pardje në INP “Shkup” dhe lëshimet e konstatuara në protokollet e sigurisë së burgut, drejtori Gjoko Kotevski paralajmëroi se do të japë dorëheqje. Dorëheqja pritet të hënën, kur duhet të jetë gati edhe raporti nga hetimi për ngjarjet e pakëndshme në të cilat fizikisht u sulmuan ish-ministrat Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski.

“Së bashku me raportin e hetimit, do ta deponoj edhe dorëheqjen”, konfirmoi për MIA-n drejtori i burgut.

Sipas tij, hetimi i deritanishëm tregoi lëshime në veprimin dhe mosrespektimin e standardeve të protokolleve të sigurisë në shërbimin për siguri në INP “Shkup”. Për këtë, Kotevski, siç deklaroi ndjen përgjegjësi morale dhe do të tërhiqet nga funksioni.

“Unë jam njeri përgjegjës, profesionist, i përkushtuar ndaj shërbimit dhe kur shërbimi nuk të mbështet, është e logjikshme për arsye morale dhe profesionale të jepet dorëheqje”, deklaroi Kotevski sot para burgut në Shutkë.

Paraprakisht, gjatë ditës, kryeministri Zoran Zaev i dënoi incidentet dhe kërkoi dorëheqje nga Kotevski. Theksoi se pa dallim prej asaj se kush është fajtor për incidentet, drejtori duhet të bart përgjegjësi.

“Sipas dëshmitarëve dhe deklaratave të shkruara të personave në ngjarjen e djeshme incidentet verbale i kanë filluar personat M.J. dhe S.R. pas së cilës fizikisht janë sulmuar. Kuptohet, për dhunën fizike nuk ka arsyetime. Ato duhet secili t’i dënojë, secili prej nesh, dhe për atë duhet të ndërmerret përgjegjësi”, nënvizoi Kotevski duke shtuar se e pranon kërkesën e kryeministrit Zaev.

Kotevski paralajmëroi se të hënën do të përfundojë hetimi i kompletuar i brendshëm, ndërsa pastaj raporti do të dorëzohet në Ministrinë e Drejtësisë, në Drejtorinë për zbatimin e Sanksioneve dhe në kabinetin e kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ish-ministrat Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski të cilëve u është shqiptuar masa e arrestit për ngjarjet në Kuvend më 27 prill 2017, fizikisht janë sulmuar nga L.K. dhe E.S. Sipas Kotevskit, M.J. dhe S.R. janë vendosur në pavijone të ndryshme dhe për këtë arsye incidentet kanë ndodhur në kohë të ndryshme, njëri në njërën shëtitore ndërsa pas një ore edhe tjetri në një shëtitore tjetër. Janë bërë bisedime dhe janë marrë deklarata prej personave në arrest të përfshirë në këtë ngjarje.

Gjykata Themelore – Shkup 1 mbrëmë kumtoi se Këshilli gjykues ia ka miratuar ankesën Janakieskit me ‘rast masa e paraburgimit i është ndryshuar në masë arrest shtëpie 30-ditor, ndërsa Ristovski mbetet në “Shutkë”. Janakieskit njëherësh i ndalohet komunikimi me personat e përfshirë në ngjarjen penale pa leje nga Gjykata.