Të hënën Athina do të dërgojë notë verbale deri tek Shkupi


Notë verbale që do të informojë se Greqia e ka ratifikuar edhe Marrëveshjen e Prespës dhe Protokollin për anëtarësimin në NATO, të hënën do të dërgojë Athina deri tek Shkupi, sipas ministrit alternativ të Punëve të Jashtme të Greqisë.

Jorgos Katrugalos, në një intervistë për agjencisë greke të lajmeve ANA-MPA, i sqaron hapat e ardhshëm pasi Parlamenti grek të premten dha dritë të gjelbër për Protokollin për anëtarësim në NATO, ndërsa më 25 janar e ratifikoi Marrëveshjen e Prespës.

“Të hënën do të dërgohet Nota verbale që do të informojë për ratifikimin e marrëveshjes dhe në vazhdim Maqedonia e Veriut do ta informojë KB-në, por edhe të gjitha vendet anëtare që e njohën nën emrin kushtetues, ashtu që prej tani e tutje njohja do të jetë me emrin e ri kushtetues. Edhe natyrisht, nga e hëna fillojnë obligimet e saja, në brendësi t’i ndryshojë emrat e rrugëve, të objekteve, të dokumenteve që e kanë emrin e vjetër, siç është dakorduar”, sqaron Katrugalos, për agjencinë greke të lajmeve, transmeton MIA.

Shefi alternativ i diplomacisë greke për ANA-MPA, në pyetjen nëse nga java e ardhshme do të obligohet ta shfrytëzojë emrin e ri, përgjigjet pozitivisht dhe shton se Marrëveshja e Prespës është e qartë lidhur me këtë.