Të dënuarit për „Lagjen e Trimave“ kërkojnë rasti të trajtohet si „27 Prilli“


Amnistija për ngjarjet e 27 prillit ka nxitur revoltë të madhe te familjarët e të dënuarve të rastit „Lagja e Trimave“. Ata kërkojnë trajtim të njëjtë nga sistemi i  drejtësisë dhe gjykatat e Maqedonisë duke marrë parasyshë se të dy lëndët ngarkohen me veprën “terrorizëm”.

Fjalët e familjarëve sot i përcolli avokati i Fadil Fejzullahut, Lupço Veselinovski. Ai thotë se gjykata po vepron në mënyrë selektive, pasi që ngjarjet e 27 prillit janë vendosur në rend të parë, ndërsa lënda e „Lagjës së Trimave“ është lënë në harresë. Sipas avokatit ka 14 muaj që lënda qëndron ende në Gjykatën Penale edhe pse ankesat në kohë janë dërguar deri te Gjykata e Apelit.

Sipas avokatit të Fejzllahut është e palejueshme që 14 muaj pas vendimit të shkallës së parë të mos kalojë procedura në Gjykatën e Apelit.

Veselinovski së bashku me avokatët e tjerë ditët në vijim presin që Gjykata e Apelit të fillojë procedurën dhe të caktojë seancë në të cilën do t’i pranojë ankesat dhe do ta kthejë lëndën në rigjykim.

Avokati i Fejzullahut nuk la pa theksuar se para zgjedhjeve parlamentare nga partitë në pushtet është paralajmëruar hetim ndërkombëtar për Lagjen e Trimave, por kjo nuk është bërë akoma.

Rasti Lagja e Trimave në Kumanovë ndodhi më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, kur si pasojë e përleshjeve të armatosura u vranë 8 pjesëtarë të policisë dhe 10 anëtarë të grupit.

Nga 38 personat e akuzuar në rastin “Lagjja e Trimave”, 4 janë liruar, 8 u dënuan me burgim të përjetshëm ndërsa të tjetër me 746 vjet burg.