Taravari: Përderisa Sela rrezikoi jetën, ti Zaev vazhdon të bashkëpunosh me BDI-në


Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari me kritika të ashpëra në drejtim të kryeministrit Zoran Zaev. Ai me anë të letrës së hapur pyet kryeministrin si mund të bashkëpunon me partinë e Ali Ahmetit kur te “bombat” që LSDM-ja bëri publike, janë të implikuar pikërisht BDI dhe Ali Ahmeti. Me tone të ashpëra më tej Taravari shkruan se Zaevin nuk e duan as shqiptarët, turqit maqedonasit dhe se duke lënë pa buxhet Komunën e Gostivarit, në fakt kryeministri kundër tij formon 100 mijë armiq.

Në vazhdim mund të lexoni letrën e hapur e Kryetarit të Komunës së Gostivarit, Arben Taravari drejtuar kryeministrit Zoran Zaev:

Letër e hapur për z.Zoran Zaevin

Përshëndetje Zoran, uroj që letra ime të të gjej mirë! Ka dy gjëra që dua t’i theksoj që në fillim të letrës time:
E para letra është e hapur sepse ndoshta nga rreshtat e saj kupton gjithë “blloku” qeveritar që është me rëndësi të kuptoj dhe, e dyta, letra të drejtohet në emër personal, jashtë postit që mban, pasi mendoj se ka nevojë të kthehesh te Zorani. Vetëm një Zoran i ndërgjegjshëm mund të ndaloj shthurjen e kryeministrit, post të cilin ta ka dhënë populli.
Tani, me të drejtë, do thuash- ç’është kjo letër e Arbenit?! Do më ketë shkruar ndonjë ankesë…le të merret me BDI-në! Çfarë ka me mua?! Unë politikë bëj…Çfarë t’i bëj Nevzatit?! Ai bën si fëmij! Ka inat ndaj qytetit që nuk e zgjodhi dhe i bën keq banorëve tani!
Zoran, e para deri në 27 prill të 2017-ës ne kemi luftuar bashkë kundër keqpërdoruesve të pushtetit, ata ishin Gruevski-Ahmeti. Sipas denoncimeve të tua të guximshme deri diku,ne kuptuam që binomi Ahmeti-Gruevski (nuk dua të them BDI dhe VMRO se ka njerëz të pafajshëm tek të dy krahët), pra kuptuam që ky binom nuk ishte vetëm ideologjikisht kundër nesh, por nga “bombat” që lëshove kuptuam që edhe janë të implikuar në krime të rënda kundra njeriut duke sajuar gjykime të rreme, duke zhvilluar masakra ekonomike!
Kështu, natën e frikshme të 27 prillit, ku kryetari i partisë time Zijadin Sela rrezikoi jetën krah teje, unë edhe mijëra shqiptarë, ishim gati të të dilnim për zot edhe ty që ishe në kërcënim gjithashtu!
Pra ti ishe një njeri që pavarsisht etnisë ndryshe, shqiptarët e rreshtuan në krahun e të mirëve!
Mirëpo ti pate një kusht të tmerrshëm për të marrë pushtetin, duhej të bashkëpunoje me një nga fajtorët që denoncoje vet, me Ahmetin! Ahmetin dhe “DUI-in” që ti i ulje dhe i ngrije Fajtorë, që thoje se ka përgjime që i akuzojnë keq, pikërisht ata!
Këtu sipas teje filloi Politika, këtu sipas meje filloi Hipokrizia!
Ti je në bashkëpushtet me ata të cilët morën pjesë në funeralin politik të partnerit të tyre, tani po fillojnë të përgatisin sipas meje tëndin!
Zaev shqiptarët nuk të duan! As maqedonasit! As Turqit!
Është deklaratë e rëndë dhe më vjen keq por të paktën unë flas për 100 mijë banorët e Gostivarit!
Sipas kushteve në tavolinë BDI-ja të kishte kërkuar Bejtën fitues në Gostivar. Por populli nuk ra dakort me këtë kërkesë të BDI-së, Bejta humbi!
Tani i nderuari Zoran më thuaj:
A lihet një qytet me 100 mijë banorë pa buxhet për hatër të BDI-së?!
A i jepet një qyteti 1000 euro për një vitë gjithsej për kulturë?! Po edhe sikur në Afrikë të ndodheshim do kishte bërë ndonjë gjë UNESCO dhe do ishim të mbrojtur!
Je mbytur me skandale diktatoriale be Zaev! Me një kohë mendoja që je korrekt! Si shkon ti bën me dorën tënde 100 mijë armiq?!
Këto ditë pres të gjithë kompetencat e Arsimit nga Komuna e Gostivarit të transferosh pushtetit Qëndror!! Turp e faqja e zezë! Ç’do t’u thuash Europës dhe Amerikës që i shkon kundra strategjive të tyre?!
Po të merr në qafë BDI-ja!
E di ç’thotë populli për ty?!
Të quan që je në rrugë për t’u shëndruar në një Gruevski i ri! A nuk je. Unë jam neurolog dhe kam studiuar shumë për personalitetin njerëzor dhe ti nuk je si Gruevski, por ti shoqërohesh me njerëzit e gabuar dhe rrezikon të bëhesh! Aktualisht po shkon poshtë e më poshtë!
Zoran, të kujtoj që punon si Kryeministër i shtetit, ndaj thirri mendjes dhe mos u bë si Gruevski! Çfarë bën kështu?!Ti sikur po luan oksan dhe gurët janë populli i Gostivarit! Le njëherë po merr veten në qafë!
Dhe për fund Zoran i nderuar:
Punën e Kryeministrit ta besojë populli, mos luaj me të! Sidomos tani është shumë e rrezishme për fatin e shtetit të luash me popullin!
Të fala nga Gostivari!
Arben Taravari
Kryetar i Komunës të Gostivarit