Taravari: Do të jemi opozitë konstruktive, të gatshëm për bashkëpunim me të gjitha partitë


Aleaca për Shqiptarët do të jetë konstruktive, prandaj edhe pas dalje nga Qeveria do të votojë të gjithë ligjet që janë të rëndësishme për integrimet e vendit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, për shoqërinë për qytetarët, deklaroi sekretari i përgjithshëm i Aleancës dhe kryetar i Gostivarit, Arben Taravari në emisionin e mbrëmshëm “Studio e Natës” në Tv Telma.

Pas deklaratës së djeshme të kryetarit të Aleancës, Zijadin Sela, se mbeten në qeveri deri në miratimin e Ligjit për gjuhët, Taravari tha se në Qeveri kanë hyrë kokëlartë dhe se dëshirojnë që të dalin krenarë.

“Jeta vazhdon, ashtu e ka politika, shkojmë në opozitë dhe me krenarinë më të madhe do të vazhdojmë të jemi opozitarë pozitivë për shoqërinë”, tha Taravari, transmeton Gazeta Lajm. Ai shtoi se dy deputetët e Aleancës do të votojnë për ligjet që janë për të mirën e qytetarëve dhe shtetit dhe se do t’i kritikojnë të gjitha dobësitë dhe mangësitë e qeverisë.

Taravari shtoi se Aleanca mbetet e gatshme të bashkëpunojë më te gjitha partitë, madje edhe me VMRO-DPMNE-në, nëse “arrijnë të dalin nga gruevizmi dhe fillojnë të sillen në mënyrë reformuese”.

“Ne jemi të hapur për komunikim edhe me LSDM-në, edhe me BDI-në, edhe me Besën, edhe me VMRO-në, me të gjitha partitë”, tha Taravari.

Posti i ofruar për zëvendës kryeministër për reforma në Qeveri, sipas Taravarit, është diçka inekzistente dhe propozim i Ali Ahmeti, me qëllim që Aleanca të nënçmohet dhe të refuzojë të jetë pjesë e qeverisë.