Takimi Zaev-Cipras, mbështetet nga partitë politike në vend


Takimi i parë mes kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë, ka marrë vlerësime pozitive dhe mbështetje nga të gjitha partitë politike parlamentare. Këtyre vlerësimeve pozitive kësaj radhe i u është bashkangjitur edhe VMRO-DPMNE-ja opozitare duke thënë se i mbështet takimet e niveleve të këtilla. Megjithatë kryeministri Zaev nuk shpëtoi pa akuza për mos transparencë. Dafina Stojanovska nga VMRO-DPMNE thekson se nuk janë të njoftuar në lidhje me ecurinë e bisedimeve dhe se nuk shohin irredentizëm në emrat e autostradave dhe aeroportit, për të cilat Zaev shprehi gatishmëri që t’i ndërroj. Andaj VMRO-ja me pyetje direke deri tek kryeministri Zaev, nëse ndryshimi i emrave të autostradës dhe aeroportit janë pjesë e ndonjë strategjie më të gjerë.

“E përshëndetim, sepse mendojmë se çdo takim i nivelit të këtillë kontribuon në thellimin e marrëdhënieve dhe ndërtimin e një klime pozitive mes dy shteteve fqinje. Problematik është fakti që ne deri tani nuk kemi asnjë informatë rreth asaj së si ka rrjedhur procesi i bisedimeve në lidhje me emrin tonë kushtetues, i cili është kontestues për fqinjin tonë jugorë. Si ju, ashtu edhe ne kemi dëgjuar se kryeministri i Maqedoninë mbrëmë paralajmëroi ndryshimin e emrave të autostradës dhe aeroportit për cilën VMRO-DPMNE mendon se në asnjë nga këto emra nuk ka aspak irredentizëm, andaj e pyesim kryeministrin se ndryshimi i këtyre emrave, a janë pjesë e ndonjë strategjie më të gjerë?”, tha Dafina Stojanovska – VMRO-DPMNE.

Deputeti i BDI-së Artan Grubi u shpreh se vetëm me bisedime të mirëfillta dhe me kompromis, Maqedonia do të mund bëhet anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

“Kjo paraqet një hap pozitiv drejt bisedimeve njëri me tjetrin e jo bisedimeve njëri për tjetrin. Me këtë ne po e ndërpresim praktikën e diskutimeve dhe bisedimeve me fqinj tonë nëpërmjet gjuhës së përmendoreve, nëpërmjet emërtimeve të aeroporteve dhe stadiumeve apo autostradave, por po flasim mënyrë miqësore duke tejkaluar dallimet mes palëve “,u shpreh Artan Grubi deputet I BDI-së.

Bisedimet për zgjidhjen e kontesteve me Greqinë e mbështet edhe Aleanca për Shqiptarët.

Ishte një takim me qëllim të tejkalimit të dallimeve mes Maqedonisë dhe Greqisë. Ne I përshëndesim lëvizjet dhe takimet e tilla, ky është qëndrimi I Aleancës në proceset eurointegruese dhe një ndër kushtet për lëvizje pozitive në këtë drejtim është edhe ndryshimi I emrit dhe iniciativa për ti ndryshuar emrat e autostradave dhe aeroportit – theksoi Syrija Rashidi – Deputet i Aleancës për Shqiptarët.

Lëvizja Besa gjithashtu përkrahë bisedimet por kërkon që emri I ri I shtetit të jetë I pranueshëm për të gjithë faktorët duke përfshirë edhe shqiptarët.

“I përkrahim të gjitha këto bisedime, është koha e fundit që të gjendet një zgjidhje rreth çështjes së emrit. Ajo që ne si parti politike shqiptare kërkojmë që të gjendet një zgjidhje që do të ishte e pranueshme për të dy vendet, nënkuptohet për RM-në por edhe për ne si shqiptarë”, deklaroi Fadil Zendeli – Deputet i Lëvizjes Besa.

Kontesti shumëvjeçar rreth çështjes së emrit ka shkaktuar ngecje në procesin euro-integrues të vendit. / Alsat -M