Takimi i dy qeverive, Rama: Kërcënimet e së shkuarës nuk mund të kërcënojnë të ardhmen

Pas mbledhjes së përbashkët mes Qverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Maqedonisë, në Pogradec, kryeministri Edi Rama zhvilloi një konferencë bashkë me homologun e tij maqedonas, Zoran Zaev.

I pari që mori fjalën ishte kryeministri Rama, ku tregoi edhe njëherë disa marrëveshje që u firmosën mes dy qeverive. Ai tha se bashkëpunimi mes dy vendeve i jep fund një historie ku konfliktet e së shkuarës kërcënojnë që të na rikthehen në pengesa në rrugët e të ardhmes.

“Siç e keni ndjekur në mbledhje u fol edhe për marrëveshjen e Ohrit dhe jemi shumë të inkurajuar. Ky është një gurë themeli për forcimin e demokracisë dhe rritjen e mirëqenies jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Shqipëri. I jep fund një historie ku konfliktet e së shkuarës kërcënojnë që të na rikthehen në pengesa në rrugët e të ardhmes. E përgëzoj kryeministrin për kurajon që ka çuar para programin. Për inicimin e ligjit të gjuhëve në parlament dhe për mbajtjen e një zotimi madhor për gjuhen shqipe. Presim që ligji të kalojë dhe zbatimi të nisë një orë e më parë. Është një tjetër forcim i themeleve të Maqedonisë së të ardhmes. Jemi shumë të kënaqur për praninë tuaj këtu”, tha Rama.

Ndërsa kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, tha se janë të përkushtuar në krijimin e shoqërisë qytetare me mundësi të njejta për të gjithë, marrëdhënie të mira ndër-etnike dhe realizimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

“Jemi të bindur se dallimet na bëjnë më të fuqishëm, e jo më të dobët në këto përpjekje. Muajt e ardhshëm mund të jenë kyç për Maqedoninë edhe në kontekst të përparimit drejtë BE-së edhe për anëtarësimin në NATO”, tha Zaev.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama tha se dy Qeveritë organizuan seancë të përbashkët për të ngritur në nivel më të lartë marrëdhëniet ndëmjet dy shteteve.