Takim Zaev-Palmer: SHBA-ja mbetet partnere dhe mbështetëse e Republikës së Maqedonisë


Kryeministri Zoran Zaev gjatë vizitës dyditëshe të punës në Britani të Madhe u takua me u.d. zëvendës ndihmës sekretarin shtetëror për Evropë dhe Euroazi në Departamentin amerikan të SHBA-së, Methju Palmer.

Palmer në takim, siç kumtoi shërbimi qeveritar për shtyp, i ka përshëndetur përpjekjet e qeverisë së re për reforma demokratike. Ai e ka mbështetur procesin e integrimeve për në BE dhe në NATO, dhe theksoi se SHBA-ja mbetet partnere dhe mbështetëse e Republikës së Maqedonisë.

“SHBA-ja do të vazhdojë me mbështetjen sepse ajo i ndihmon mirëmbajtjen e stabilitetit dhe sigurisë, si dhe hapjen e perspektivave të reja për përparim. Qeveria meriton përgëzimet edhe për tejkalimin e çështjeve të hapura me fqinjët. Anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë në BE dhe në NATO do të jetë mirë për tërë rajonin, si dhe me dobi të madhe për të gjithë qytetarët e RM-së”, ka thënë mes tjerash Palmer në takimin me kryeministrin Zaev në Londër.

Kryeministri i Maqedonisë është falënderuar për mbështetjen afatgjate dhe të vazhdueshme nga SHBA-ja për zhvillimin e demokracisë në Republikën e Maqedonisë, si dhe për mbështetjen për integrimet euro-atlantike, duke cekur se SHBA-ja është partneri ynë strategjik, dhe se asistenca e administratës amerikane në zbatimin e reformave vendore është me rëndësi të jashtëzakonshme.

“Qeveria është e përkushtuar në planin e reformave vendore, ndërtimin e një shoqërie, zgjidhjen e problemeve me fqinjëpt, si dhe ndërtimin e politikës së mirë fqinjësore dhe zhvillimin e bashkëpunimit rajonal”, informoi kryeministri Zaev.

Theksoi se Republika e Maqedonisë, si edhe deri më tani, mbetet partnere e dëshmuar e SHBA-së me pjesëmarrjen e vet në misionet e NATO-s.

“Qëllimet tona janë anëtarësimi në BE dhe në NATO, nuk ka alternativë tjetër – sepse kjo do të thotë stabilitet dhe përparim ekonomik për Republikën e Maqedonisë dhe për përmirësimin e standardit të qytetarëve”, tha kryeministri zaev gjatë takimit me Palmer.