Takim i ri Dimitrov-Kocijas, optimizëm në të dy vendet


Vazhdon klima pozitive edhe në Maqedoni edhe në Greqi lidhur me zgjidhjen e kontestit për emrin dhe raundin e dytë të negociatave pas ripërtëritjes së tyre, i cili është caktuar për më 17 janar në Nju-Jork.

Ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë dhe të Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kocijas sot do të kenë edhe një takim, i cili dje u konfirmua prej të dyja ministrive por koha dhe lokacioni nuk u kumtuan.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani mbrëmë në emisionin “24 Analiza” deklaroi se takimi mes Dimitrovit dhe Kocijasit mund të mbahet në Greqi. Osmani gjatë intervistës gjithashtu theksoi se zgjidhja e çështjes së emrit është shumë afër ai madje tha se ky vit mundet të jetë historik.

Partia opozitare greke Demokracia e Re, nga ana tjetër, dje i dha linjat e kuqe në negociata. Emër i përbërë me përcaktim gjeografik, emër për të gjithë dhe për përdorim të përgjithshëm (erga omnes) dhe përjashtimi i deklaratave irredentiste ose praktikave të tilla nga Shkupi – janë tre parakushtet që i parashtroi Partia. Duke folur para anëtarëve të partisë të cilët janë përgjegjës për sektorë të ndryshëm, Kirjakos Micotakis, sipas agjencisë greke të lajmeve ANA-MPA, i ka prezentuar linjat e kuqe të partisë dhe ka thënë se Demokracia e Re nuk do të pranojë zgjidhje vetëm për emrin, nëse nuk plotësohen edhe kriteret e tjera.