Sulmi me armë ndaj biznesit, Pronari: Nuk kam probleme me askënd


Pronari i lokalit në Fier që u sulmua me armë zjarri dy ditë më parë thotë se nuk ka probleme me askënd dhe se nuk ruhet nga askush.

“Kam bashkëpunuar me policinë për të nxjerrë në dritë të vërtetën. Nuk jam person në kërkim, bëj një jetë normale”, u tha Agim Boriçi mediave.

Ai ka treguar më tej se në momentin e ngjarjes ka qenë lokal por fatmirësisht nuk ka pasur klientë të pranishëm gjatë të shtënave me armë.

Ngjarja u shënua të mërkurën. Nga mjeti “Renault”, me targë greke “YNK 1329” u qëllua në lëvizje ndaj lokalit në lagjen 8 Shkurti, në pronësi të Boriçit.

Menjëherë pas sulmit, autorët, numri i të cilëve ende nuk dihet u larguan në drejtim të “Semanit” dhe pak më vonë i vunë flakën makinës në lagjen “15 Tetori”.

Brenda mjetit të djegur kishin lënë edhe armën që dyshohet se u përdor për sulmin dhe një karikator me fishekë.