Studentët edhe sot në protesta, tre kërkesat drejtuar Ministrisë së Arsimit


Heqja e tarifës prej 670 lekë për kredit për çdo provime të mbartur, pagesa e tarifës së shkollës të kryet në muajin janar si dhe përmirësimi i kushteve në konvikte kanë qenë tre nga kërkesat të cilat i janë drejtuar Ministrisë së Arsimit gjatë protestës së zhvilluar nga studentët. Por, me anë të nj reagimi Ministrja Nikolla përgjegjësinë ua ka lënë universiteteve ndërsa ka pohuar se nuk ka rritje të tarifave të shkollimit gjatë 4 viteve të fundit.

Sonila Isaku

E nisur si një proteste e lokalizuar vetëm tek studentet e disa fakulteteve të Universitetit Politeknik, tashmë revolta e të rinjve ndaj Ministrisë së Arsimit për tarifat në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë ka marrë përmasa të mëdha jo vetëm në Tiranë por edhe në rrethe. Studentet thonë se Ministria duhet marrë masa për kërkesat e tyre sa më shpejt, ndryshe ata kanë ndërmend të bojkotojnë procesin mësimor pa afat. Ndërkohë edhe gjatë ditës së sotme priten protesta të cilët do të nisin nga fakultet përkatëse dhe të gjithë studentët do të bashkohen pranë Ministrisë së Arsimit, për të kundërshtuar VKM nr. 288 dt. 21 maj, pikërisht pikën 4 të tij.

Kërkesat

Por cilat janë kërkesat e studenteve? Ata kanë tre probleme emergjente për të cilat duan zgjidhje. Së pari studentet duan të zgjidhin çështjen e një VKM-je që i detyron ata të paguajnë tarifë për çdo kredit të lëndëve të mbartura. Së dyti ata duan përgjysmim të tarifave vjetore të studimeve në Universitetet Publike. Së treti kërkojnë përmirësim të infrastrukturës në Konvikte. “Arsyeja e parë e kësaj proteste është pagesa për çdo kredit të provimeve të mbartura nga 670 lekë; arsyeja e dytë, njoftimi shumë i papritur për pagesën e shkollës, e cila duhet të bëhet brenda datës 15 dhjetor, ndërkohë që ne s’kemi as një javë që e kemi marrë vesh dhe data 15 erdhi; ka persona që e kanë problem këtë vlerë se janë nga rrethet dhe arsyeja e tretë është që të krijohet mundësia e kësaj pagese nëpërmjet kësteve. Kurse arsyeja e tretë ka të bëjë më ”, thotë njëri prej studentëve.

Sipas VKM-së së datës 21 maj 2018, të gjithë studentët që ndjekin studimet në institucionet publike të arsimit të lartë janë të detyruar t’i nënshtrohen tarifës së shkollimit për kreditet në lëndët përsëritëse, teksa vijojnë studimet në vitin pasardhës. Pra, nga kjo pikë studentët preken në muajin janar, teksa fillon sezoni i provimeve. “Por gjithashtu u bëj thirrje edhe të gjithë Universiteteve të Tiranës, të shkojnë të pyesin në zyrat e financës sepse ky vendim për tarifimin e krediteve për provimet e mbartura, nuk është aplikuar vetëm për Universitetin e Politeknikut”, thotë një studente. Ndërkohë që pagesa e tarifës vjetore si rregull i miratuar nga Bordi i Universitetit Politeknik i Tiranës është deri në përfundim të semestrit të parë.

Reagimi i Nikollës

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla në një deklaratë për mediat i ka reaguar ndaj protestës së studentëve para ministrisë për tarifat e studimit. Nikolla u është përgjigjur studentëve duke thënë se ato duhet ta zgjidhin me universitetet, pasi tarifat janë vendimmarrje e tyre. “Është një standard i vendosur midis ministrisë dhe institucioneve tona të arsimit të lartë. Me respektin maksimal për të dëgjuar shqetësimin e studentëve. Respektin maksimal dhe me politikanët që janë përfshirë. Ju kam kërkuar studentëve që të komunikojmë me dekanët dhe rektorët që të japin përgjigje. Nuk kanë pranuar që ne të vijonim në këtë rrugë. Tarifat e tjera janë vendimmarrje të Universiteteve.”– u shpreh Nikolla. Ministrja e Arsimit tha se nuk ka asnjë rritje të tarifave të studimit, duke bërë një krahasim me qeverisjen e kaluar. Sipas saj nga viti 2013 deri më sot ka pasur vetëm një rritje tarife në vitin 2014. “Në vitin 2009 tarifa minimale ishte 12 mijë në 2013 kjo tarifë shkoi në 14300 lekë. Tarifa mesatare nga 16500 shkoi në 20500 duke impaktuar 13 mijë studentë. Tarifa maksimale ishte 30 mijë shkoi 45 mijë, pra një rritje prej 50% dhe ka impaktuar 4 mijë studentë. Efekti financiar i kësaj shifre ka kapur shifrën 128 milion lekë. Në vitin 2013 -2017 kemi një rritje tarifash vetëm në 2014. Tarifa minimale ishte 14430 shkoi në 20 mijë ka impaktuar 4500 studentë, pra një rritje prej 5570 lekë” pohoi Nikolla.

Rama: Ministrja ka sugjeruar rishikimin e VKM për tarifën

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla u ka sugjeruar Universiteteve që të marrin në konsideratë rishikimin e VKM-së për tarifat e studentëve. Lajmi është bërë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, i cili në një postim në rrjetet sociale shkruan se tarifat nuk i përcakton Ministria, por Universitetet. Këto tarifa, thotë Rama, nuk janë rritur që prej vitit 2014 dhe janë kërkuar nga Universitetet.

Edhe pse VKM për këto tarifa hyn në fuqi vitin tjetër, sot ministrja Nikolla u ka sugjeruar Universiteteve që të marrin parasysh rishikimin e tyre. “Thjesht e vërteta: 1. Tarifat s’i përcakton ministria po universiteti 2. Asnjë tarifë s’është rritur nga 2014 3. VKM për tarifën e mbetësve është kërkuar nga universitetet 4. Efekti i VKM nis vitin tjetër 5. Ministrja u ka sugjeruar sot universiteteve të konsiderojnë rishikimin e VKM”, shkruan kryeministri Edi Rama në Twitter.

Universitetet që kanë aplikuar tarifat shtesë

Qindra studentë rrethuan sot Ministrinë e Arsimit dhe Sportit në protestë kundër tarifave për Arsimin e Lartë. Arsyeja kryesore që shkaktoi revoltimin e tyre ishte Vendimi i Këshillit të Ministrave publikuar më 21 maj të vitit 2018, ku kërkohej aplikimi i një tarife shtesë për çdo kredit të lëndëve përsëritëse. Mirëpo, që prej publikimit të vendimit, vetëm disa prej universiteteve kanë aplikuar tarifat shtesë, përkatësisht për kreditet shtesë dhe për riprovimet. Organizata “Qëndresa Qytetare” publikoi sot listën e plotë, si më poshtë:

Universiteti Tarifa për kredit Bachelor Tarifa për kredit master Riprovim

“Aleksander Xhuvani” Elbasan 400 lek 1300 lek

“Luigj Gurakuqi” Shkoder 400 lek 1000 lek

Universiteti Politeknik, TR 670 lek 1750 lek

“Aleksander Moisiu” Durrës 1500 lek

Universiteti i Tiranës 450 lek/ Albanian Free Press