Studentët e UEJL-së me letër deri te Merkeli dhe Makroni kërkuan fillimin e negociatave për anëtarësim në BE


Studentët e Universitetit  të Evropës Juglindore dërguan letër të hapur deri te kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emanuel Makron që të ndikojnë në epilogun pozitiv për fillimin e negociatave për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Letra është shoqëruar me nënshkrime.

“Duke e ndjekur situatën në lidhje me përcaktimin e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, jemi të shqetësuar nga epilogu për vendin tonë, e ardhmja e së cilës është në moment kyç. Vlerësojmë se vendi ynë ka punuar shumë në përmbushjen e kushteve të nevojshme për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE dhe, gjithsesi, jemi të vetëdijshëm për nevojën e angazhimit të mëtutjeshëm, më saktë në kapitujt 23 dhe 24. Megjithatë, pa mbikëqyrje nga Brukseli zyrtar, përmirësimi i situatës në RMV veçanërisht në këto dy kapituj është gati i pamundshëm”, qëndron në letrën e shkruar në gjuhën shqipe, maqedonase dhe angleze.

Më tutje studentët vlerësojnë se personalisht të dy burrështetasit mund të japin kontribut me vendimet e tyre drejtë integrimit në BE të shoqërisë së Maqedonisë.

“Ju jeni ata të cilët mund të ndikoni ndaj përforcimit të vlerave perëndimore, pavarësia dhe efikasiteti i gjyqësorit dhe përjashtimi i drejtësisë selektive në vendin tonë. Ju jeni ata të cilët mund të ndikojnë në rritjen e vlerave të vërteta evropiane në kuadër të lirisë së mediave te ne. Ju jeni ata të cilët mund të krijoni standarde në të gjitha sferat, ashtu si i keni kuruar në sistemet e shteteve tuaja. Në emër të këtyre standardeve, na mundësoni neve të rinjve nga Republika e Maqedonisë së Veriut që të jemi pjesë e shtëpisë së përbashkët të Bashkimit Evropian”, thonë studentët e UEJL-së në letër.

Studentët i dënojnë kolegët nga të gjitha universitetet që të përfshihen në iniciativë.