Sopotasit: Më në fund na u hoq etiketa terroristë, dëmshpërblimi nuk na i kthen vitet e humbura


Mëngjesi i ditës së sotme për sopotasit ka aguar ndryshe pas plotë 15 viteve. Të akuzuarit e rastit të Sopotit, raporton SHENJA, sot frymojnë lirshëm pasi dje ata janë zhveshur nga akuza për terrorizëm, gjë që u ka rënduar ekzistencën e tyre për 15 vite me radhë. Ata janë akuzuar për një vepër të cilën nuk e kanë kryer, kanë vuajtur dënim të pamerituar, dhe përfundimisht pas 15 viteve drejtësia e gjeti rrugën deri tek ata. Për ta është shumë me rëndësi që është dëshmuar pafajësia e tyre, faleminderojnë Zotin dhe të gjithë ata që kanë besuar në pafajësinë e tyre, e më në fund janë bindur se kanë pasur të drejtë.

Sulejman Sulejmani,
“Dha Zoti, pafajësia u duk se ku o dje. E fajin kush e ka bo n’ahiret e dunja n’qaf e past. Le ta lypin, shteti le ta gjej. 7 vjet e një muaj në burg, 2 vjet burg shtëpiak… Djeg, hallall nuk ja bëj, po nëse shteti e ka pas për interesin e vet, po tjerat hallall ja bëj, për shtet se në këtë shtet jam. Por ruzat e gjakut që mi kanë djeg, gjallë e për gazepi më kanë lënë, kurr hallall nuk ja bëj. Në ahiret kur të dalim para Zotit, atij kam mi lyp xhevap, se si kam pas borxh. Hajde se për interes I ka zgjedh disa katundar, atë djalë e kam, Sopoti si fshat i vogël si i shmangët, kanë pas mundësi e kanë bërë. 5 orë më kanë mbajt lidhur, me hekra, kur u lëshojke një makinë, u ndezke diçka me telat e zbuluara, më kanë dhënë nxehtësi.”

Për ta megjithatë ky vendim është shumë i vonuar. Të gjitha vuajtjet, malltretimet, mungesa e lirisë, e familjarëve, etiketimi me diçka që nuk janë realisht, kanë lënë shenja të thella në kapitullin e tyre të këtij 15 vjeçari, dhe asnjë peshore nuk do të mund ta mbante peshën e dhimbjeve të tyre në njërën anë , për të vendosur vlerën e dëmshpërblimit në anën tjetër.

Sheribane Lutfiu

“A për dëmshpërblim, dëmshpërblimi nuk më kënaq asgjë, kemi pas lloj lloj vuajtje, llojlloj malltretimi, po për mu ka qenë mjaft që vajza që deri në moshën 12 vjeçare me babë për së gjalli, e me rrit jetim, Zoti askënd nuk e provon, se shumë ishte rëndë. Çdo ditë ka qenë e mërzitshme, çdo ditë ka qenë e dhimbshme, por vetëm 3 në vit që kanë qenë për neve, ato as dëmshpërblimi e askush ato nuk i mbulon. Ditëlindja e vajzës dhe dy festat e bajramit, veç ato kur I mendoj për neve janë boll, pa kurrfarë faji na jena malltretu, malltretim mas malltretimi kemi pas kur kemi shku. Ma rëndë se me ta marrë fëmijën nga krahu polici pa kurrfarë faji, me ta mbyll në dhomë në veti e me hy me kontrollu me qenë, ajo ishte shumë e rëndë, por kush na e bëri këtë neve, Zoti ia ktheftë.”

SHABAN LIMANI

“Familja ka vujt për mu, si familje më, malltretime, te posht tenalt, protesta, vizita në burg, një malltretim që nuk paguhet. Thonë jo dëmshpërblim do merrni tash, a nuk e di çka, mirëpo familjes nuk I paguhet malltetimi. ”

Sopotasit thonë se akoma më e rëndë është për të akuzuarit që ndodhen në arrati, pasi siç thonë ata, ata para se gjithash kanë humbur vendlindjen.

Shaqir Sulejmani
“Tash po foli për ata që janë në Kosovë. Ata kanë humbur gjithçka këtu në fshatin Sopot, në vendlindjen e vetë, si të kthehen tash ata në Maqedoni, kur shtetësi nuk kanë dokumente nuk kanë,e kanë shit shtëpinë, njëri është në Francë, të tjerët janë në Kosovë. Kush do të ua paguan atyre atë dëmshpërblim, kur gjithçka kanë humbur. Bashkim Ukshini, komshiu im jeton në Francë, Afrim Ukshini jeton në Kosovë, Musa Klaiçi është në Kosovë, Selman Jahiu në Kosovë, i ndjeri më që vdiq në Kosovë, Samet Limani më vjen keq, por s’keni çfarë të bëjnë…”

Të akuzuarit që ndodhen në arrati, presin që të merret vendimi përfundimtar pasi akoma nëpër regjistra figurojnë si terroristë, dhe menjëherë pasi të lirohen plotësisht nga kjo akuzë, ata do të mund të vizitojnë vendlindjen e tyre, pas 15 viteve qëndrim larg saj. / Shenja