Sofje, Dimitrov në takime me përfaqësues të lartë të BE-së


Shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov prej sot po qëndron në Sofje, ku është paraparë të ketë takime bilaterale me përfaqësuesit e autoriteteve bullgare dhe të marrë pjesë në takimin joformal të ministrave të punëve të jashtme të BE-së.

Nikoqir i takimit është zëvendëskryeministrja bullgare dhe ministre e Punëve të Jashtme Ekaterina Zaharieva, vendi i së cilës është kryesues aktual me BE-në. Ministri i jashtem i Maqedonise Dimitrov, sot duhet të ketë takime bilaterale me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, me kryeministrin Bojko Borisov dhe me kolegen e tij, Ekaterina Zaharieva.

Dimitrov dhe Zaharieva, siç kumtoi MPJ do t’i shkëmbejnë dokumentet e ratifikimit të Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim.

Me këtë praktikisht do të përfundojë procedura formale për të hyrë në fuqi Marrëveshja, pas ratifikimit të saj në Kuvendin e Maqedonisë më 15 janar dhe në Parlamentin bullgar tre ditë më vonë.

Në takimin joformal do të marrë pjesë edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini, shefat e diplomacive të 28 vendeve anëtare, si dhe ministrat e punëve të jashtme të pesë vendeve kandidate nga Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia.