“SMILLKOVA”: Çfarë ka bërë katër dite me radhë para vrasjes E1-shi?!


Në seancën e sotme njëorëshe të dëgjimit të dëshmitarit të mbrojtur të lëndës “Monstra”, ai tha se në 12 prill 2012 tek liqeni i Smillkovës ka parë katër trupa.

Mbrojtja ka tentuar me më shumë pyetje ta përmbys vërtetësinë e dëshmisë së dëshmitarit. Avokati Asmir Alispahiq u përpoq ta kontrollojë dhe kontestojë memorien e dëshmitarit mbrojtës duke e pyetur se si në seancën e kaluar kanë qenë të veshur ai dhe kolegu i tij Naser Raufi. Dëshmitari i mbrojtur, i cili dëshminë e tij e jep nga hapësira tjetër me zë të ndryshuar dhe fotografi të errët, saktë ka thënë se si kanë qenë të veshur avokatët dhe të akuzuarit, për të cilët tha se i ka njohur, se kanë qenë në liqen para se të ndodhë vrasja.

Njëherësh, ai sqaroi se tek liqeni i Smillkovës, ditën e kobshme të 12 prillit përveç veturës “Golf 3” ka parë edhe dy vetura udhëtarësh, njëra me ngjyrë blu, kurse tjetra me ngjyrë të bardhë. Veturën “Golf 3” me xhama të errët e ka parë katër ditë e kaluara, nga data 9 deri 12 prill në lokacione të ndryshme.

Seancën e kaluar që u mbajt në 22 gusht ishte ndërpre shkaku i lodhjes së dëshmitarit të rrezikuar, pas dëgjimit nga ana e PSP-së dhe njërit prej avokatëve mbrojtës.

Dëshmitari i mbrojtur në seancën e fundit tha se qëndron në deklaratën e dhënë në procedurë paraprake. Ai në gjyq njohu disa nga të akuzuarit.

Mbrojtja tha se dëshmitari i mbrojtur është konfuz në përgjigjet dhe se dyshojnë në vërtetësinë e pohimeve të tij.

Për vrasjen e pesëfishtë tek liqeni i Smillkovës në 12 prill 2012 kur u vranë Kire Triçkovski, Filip Sllavkovski, Cvetanço Ackovski, Aleksandar Naçevski dhe peshkatari Borçe Stefanovski, ishte hapur lënda “Monstra”, ndërsa me burgim të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi dhe Haki Aziri dhe Sami Luta.