Skandalet që e kanë përcjellë ministrin e ri të Shëndetësisë, Venko Filipçe

Neurokirurgu Venko Filipçe dje u zgjodh për ministër të Shëndetësisë. Pas katër muajve zvarritje mes partnerëve të koalicionit, më në fund kryeministri Zoran Zaev vendosi t’ia marrë Ministrinë e Shëndetësisë, Aleancës për Shqiptarët, njofton Portalb.mk.

Filipçe është lindur në Shkup, 1977, ka diplomuar në fakultetin e Mjekësisë në Shkup në vitin 2001, specializimin për neurokirurgji e ka filluar në vitin 2003, ndërsa e ka përfunduar në vitin 2008. Asistent në Fakultetin Mjekësor në Shkup është zgjedhur në vitin 2004, ka magjistruar në vitin 2011 dhe ka doktoruar në vitin 2015. Sivjet është zgjedhur docent në Fakultetin e Mjekësisë.

Përpara se të bëhet ministër, Filipçe ka qenë këshilltar për Shëndetësi i kryeministrit Zoran Zaev. Por, në opinion mbahet mend si këshilltar nacional i ish ministrit të Shëndetësisë, Nikolla Todorov, politikat e të cilit përjetuan debakël dhe u kritikuan në opinion. Filipçe atë nuk e ka fshehur dhe është paraqitur publikisht nëpër konferenca për shtyp.

Kryeministri Zaev, asnjëherë s’e sqaroi se për çfarë arsye e ka marrë për këshilltar, i cili ka marrë pjesë në politika të këqija të shëndetësisë dhe e këshilluar paraprakun e tij nga struktura tjetër politike. Por, për atë në një intervistë Zaev tha se “këtë ia jep pasi që i beson se ai ka vizion për reformat, se ka qenë nëpër botë dhe e di se si funksionojnë sistemet shëndetësore, pasi që është i ri dhe ka mundësi të dëshmohet, por nëse nuk e plotëson misionin do të ndërrohet sikur të tjerët”.

Opinioni, Filipçen e mban mend edhe si anëtar të Kundër-Plenumit të Profesorëve. Ai në periudhën e kaluar është arsyetuar se nuk e ka ditur se çfarë po nënshkruan. Ashtu siç deklaroi nëpër media, një specializant ia ka dhënë një listë që ta vendos nënshkrimin e tij për gjoja reforma të Fakultetit të Medicinës. Filipçe, atëherë nuk demantoi se nuk është anëtar i Kundër-Plenumit të Profesorëve. Mu për atë, emërimi i tij i shtoi reagimet në opinion.

Filipçe rrjedh nga familje e njohur e mjekëve. Babai i tij Ilija Filipçe gjithashtu ka qenë ministër i Shëndetësisë nga Partia Socialiste në periudhën 1994 deri në vitin 1997, kur edhe dha dorëheqje. Me të lidhet afera e madhe me ripaketimin e barnave me afat të skaduar.

Periudha kur në krye të Ministrisë së Shëndetësisë ka qenë babai i Filipçes llogaritet si një nga periudhat më të errëta që nga pavarësimi i Maqedonisë. Në atë periudhë shëndetësisë së Maqedonisë i ka ndodhur nepotizëm i madh, gjegjësisht në të gjitha pozitat udhëheqëse janë vendosur familjarë dhe shokë të afërt të familjes.

Vëllai Ilija Filipçes, Dobre Filipçe, ishte vendosur për kryetar të Komisionit për Barna. Në atë periudhë u formua Depoja Qendrore nëpërmjet të cilës janë furnizuar barnatoret. Nga ajo periudhë është e dëgjuar afera me ripaketimin e antibiotikëve me afat të skaduar. Në atë, ashtu siç shkruan NOVATV, i ka ndihmuar profesori universitar dhe ish kryetari i Komunës së Tetovës, Sadi Bexheti.

Më vonë edhe një skandal e tronditi Maqedoninë, për kontrabandim të parave kur Dobre Filipçe më vonë u kap me një torbë me një shumë të madhe të parave në kufirin slloven.

Mu për të kaluarën e familjes së tij dhe bagazhin të cilin e ka të mbushur me skandale, Filipçe do të jetë nën vëzhgim të vazhdueshëm nga opinioni.