Sistematizimi i administratorëve, Hoxha: Procesi ka filluar, shifrat së shpejti


Sekretariati për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, i drejtuar nga zëvendëskryeministri, Hazbi Lika, në përputhje me marrëveshjen kornizë dhe pa problem po bën sistematizimin e administratorëve të cilët nuk shkonin në punë, ka deklaruar zëdhënësi i qeverisë, Muhamed Hoxha.

Edhe pse akoma nuk thuhet numri i saktë i personave që kanë nisur punën nga gjithsej 958 administratorë, Hoxha thotë se me numra të saktë do të dilet edhe publikisht.

“Janë nënshkruar pëlqimet, fillimisht nga ana e administratorëve për sistematizim. Tani jemi në fazën e nënshkrimit të kontratave në mes institucioneve. Numër të saktë për momentin kemi se sa janë nënshkruar, por sipas informacioneve nga Sekretariati për Implementimin e MO-së, së shpejti do të dalim me statistikë të saktë se deri ku është kjo procedurë dhe sa persona kanë startuar, duhet të startojnë, apo së shpejti duhet të jenë pjesë e institucioneve shtetërore. Ajo që dëshiroj të theksoj është se, për qeverinë është me rëndësi sistematizimi i të gjithë administratorëve shtetërorë, nëpunësve administrativë të cilët me vite kanë qëndruar në shtëpi ndërsa janë pranuar në bazë të programit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat vite më parë”,-deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Muhamed Hoxha.

Sekretariati për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në bashkëpunim me institucionet tjera, përgatit planin se në cilat institucione do të shpërndanin rreth 700 administratorë të tjerë.

Ky vendim duhet të kalojë në qeveri dhe të fillojë procedura për sistematizimin final, thotë Hoxha. Ai, ndërkohë, duke hedhur poshtë ndërkohë zërat se si pasojë e përplasjeve brenda BDI-së zëvendëskryeministri, Hazbi Lika, nuk paraqitet në mbledhjet e qeverisë.

Hoxha thotë se jo vetëm zëvendëskryeministri Lika, por edhe anëtarë tjerë të qeverisë i kryejnë të gjitha obligimet e parapara me ligj dhe rregulloren e punës. ( TVM2)