Siljanovska-Davkova: Nëse nuk kaloj në rrethin e dytë, do të votoj për Rekën


“Këto janë zgjedhje të posaçme. Jo sepse unë jam kandidate dhe jo përse për herë të parë një grua ka gjasën të jetë presidente e Maqedonisë, por për shkak të kushtit. Ne duhet të dëshmojmë kapacitet evropian, reformues, demokratik dhe me zgjedhje të drejta dhe demokratike, kjo nuk është mjaft e zakonshme në shekullin 21, por shpresoj se do të dalim përfundimisht nga labirinti i tranzicionit dhe se do të hyjmë në tranzicion të demokracisë” deklaroi pas votimit Siljanovska-Davkova.

Ajo shtoi se është përpjekur që fushatën ta ngjyrosë në mënyrë femërore, me dituri, me përkushtim, me argumente, të dëshmojë se gratë kanë cilësi të posaçme dhe mënyrë të posaçme të menaxhimit të problemeve.

“Mendoj se ishte e suksesshme. Pres të hyj në rrethin e dytë. Nëse ndodhë të mos hyj, do të votoj për Rekën për shkak të profesionalitetit, kompetencës dhe orientimit qytetar”, tha Siljanovska-Davkova, duke shtuar se pret të fitojë në zgjedhje dhe të jetë gruaja e parë presidente e shtetit.

Në pyetjen e gazetarëve se çka do të bëjë me Marrëveshjen e Prespës nëse fiton, ajo tha se është profesoreshë e së drejtës evropiane dhe kushtetuese dhe se do ta respektojë.

“Unë jam e përkushtuar në sundimin e së drejtës, por do të bëj gjithçka është në fuqinë time të tregoj se disa nga zgjidhjet janë kundër jo vetëm Kushtetutës dhe të drejtës kushtetuese por edhe kundër ‘jus cogens’ apo normave të detyrueshme nga KB-ja”, tha Siljanovska-Davkova.

E pyetur për atë se çfarë marrëdhënie do të zhvillojë me Bullgarinë, tha se janë të shkëlqyeshme dhe theksoi se populli bullgar është i afërt me atë maqedonas. “Bullgaria ishte vendi i parë që na pranoi dhe unë pres ndihmë të jashtëzakonshme nga Bullgaria, jo vetëm në rrugën drejt mposhtjes së problemeve energjetike në Maqedoni, por në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, tha Siljanovska-Davkova.