Shumica e qytetarëve të Maqedonisë nuk mund t’i lejojnë vetes as pushim njëjavor


Sipas Eurostat, mbi 60 për qind e qytetarëve në Maqedoni nuk mund t’i sigurojnë vetes një pushim veror.
Për të ofruar një pushim njëjavor jashtë vendit të banimit, për shumicën e qytetarëve të Maqedonisë nuk është e mundur, thuhet më tej nga Eurostat.

Në grupin me Maqedoninë janë edhe Serbia, Qiproja, Bullgaria dhe Rumania.

Qytetarët e Kroacisë në krahasim me vitin e kaluar janë në një situatë pak më të mirë, por ende janë në pjesën e keqe të listës, pasi 58.1 përqind e popullsisë nuk mund të përballojë luksin e një pushimi njëjavor jashtë vendit. Qytetarët e Greqisë fqinje, një destinacion i mirënjohur turistik, janë të shtatët nga poshtë lart, sipas mundësive financiare për të shkuar jashtë vendit.
Kur vjen puna te vendet e tjera të rajonit, 22.8 për qind e qytetarëve të Sllovenisë nuk mund të përballojnë pushimet.
Por, më shumë se 90 për qind e norvegjezëve, suedezëve dhe zviceranëve mund t’i lejojnë vetes të paktën një javë pushim jashtë vendit. /Express/