Shtyhet seanca për vrasjen e vogëlushit Almir Aliu, a do të ketë rikualifikim të lëndës?

Gjykimi për rastin e vdekjen së vogëlushit Almir Aliu në Gjykatën e Kumanovës është shtyrë, ndërsa seanca e radhës është caktuar për 6 shkurt, njofton Portalb.mk.

Seanca është shtyrë pas kërkesës së avokatit Asmir Allispagiq i cili e përfaqëson të akuzuarin Boban Iliq. Allispagiq ka kërkuar shtyrje të seancës për shkak arsyeve subjektive.

Për shkak shtyrjes së seancës akoma nuk dihet se a ka bërë prokurorja rikualifikim të lëndës, gjegjësisht në vend të “vrasjes”, i akuzuari të ndiqet për “aksident rrugor me pasoja të vdekjes”

Dje qytetarë nga të gjitha vendet, në Urën e Gurit të Shkupit dhe përpara Prokurorisë për Krim të Organizuar, kanë shprehur revoltën me heshtje dhe lule, për rikualifikimin eventual të lëndës nga “vrasje” në “aksident trafiku”.

Organizatorët e protestës u shprehën që kjo protestë është për të shprehur dënim ndaj tentimit për të rikualifikuar veprën e vrasësit të vogëlushit katër vjeçar nga Kumanova, Almir Aliu.

Në lidhje me protestën, babai i Almir Aliut, Sadat Aliu u shpreh se nuk ka nevojë të bëhet rikualifikimi i lëndës, sepse ka incizime se është bërë vrasje.

“Priten edhe këso raste deri sa dolën në publik incizimet, dhe kjo është më se e arsyeshme. Nuk ka pasur nevojë të bëhet rikualifikim, dihen shkaqet e vdekjes. Ka incizime, ka fakte, argumente, mirëpo…”, tha Sedat Aliu.
Përndryshe, vendimi i rikualifikimit të lëndës së Almir Aliut vjen pas përplasjeve të ashpra mes prokurorëve si në Prokurorinë e Lartë ashtu edhe në Prokurorinë Republikane, ku është diskutuar për këtë rast. Sipas informatave të deritashme thuhet se prokurorët në lidhje me rastin e Almir Aliut janë ndarë në baza etnike. Pala shqiptare kërkojnë që i akuzuari Boban Iliq të gjykohet nën veprën penale “vrasje”, ndërsa pala maqedonase kërkon rikualifikimin e rastit si “aksident me pasojë vdekjen”, që parashikon të paktën 4 vjet burg.

Por, në situatën e mospajtimeve të thella, prokurorët shqiptarë janë mbivotuar nga prokurorët maqedonas.

Ndryshe, më 1 korrik u bën një vit që kur katërvjeçari nga Kumanova, Almir Aliu ndërroi jetë për tu varrosur ditën e nesërme, më 2 korrik. Rasti i tij ende nuk ka epilog gjyqësor.