Shtyhet gjykimi i rastit “Monstra” ku duhej të dëshmojë dëshmitari i koduar “E1”


Sot në Gjykatën Penale duhej të mbahet seancë për rastin “Monstra” në të cilën opinioni priti ta dëgjojë deklaratën e dëshmitarit të fshehur, por seanca është shtyrë për shkak se gjykatësi Osman Shabani është i sëmurë, njofton Portalb.mk.

Ndaj mungesës kanë reaguar familjarët e të vrarëve të cilët akuzojnë se po bëhen lojëra. Një familjar tha se ka një qendër e fuqisë dhe në këtë rast janë të përfshirë 6 funksionar të BDI-së. Ata thonë se gjykatësi qëllimisht nuk ka ardhur pasi që është vendosur nga BDI-ja.

 Seanca e radhës do të vazhdojë me 22 dhe 24 gusht.

Në seancë morën pjesë trupi gjykues, prokurorët special, avokatët, gazetarët, por edhe familjarët e të akuzuarve dhe fëmijëve të vrarë. Dëshmitari nuk do të mundej të shihet, pasi që ai do të dëshmonte në kushte dhe kritere të veçanta.

Ndryshe, dëshmitari i mbrojtur apo i njohur me emrin e koduar “E1” u propozua nga Prokuroria Themelore Publike.

Në dëshminë e gjykimit të parë, E1 ka deklaruar  se disa ditë përpara vrasjes, ai i ka parë të pandehurit Sami Luta, Fejzi Aziri dhe Agim Ismailoviq në Liqenin e Smillkovës disa herë në orën 6 të mëngjesit dhe 6 të pasdites, duke pretenduar se po vëzhgonin vendin.

Megjithatë mbrojtja argumentoi se E1 nuk ishte i besueshëm sepse ai identifikoi burrat e gabuar në fotografi dhe ka dhënë dëshmi kontradiktore rreth pamjes së të pandehurve, duke pretenduar se ata kishin mjekra të gjata, që sipas berberit të tyre nuk ishte e vërtetë.

Të thënat e dëshmitarit “E1”, kanë qenë një ndër dëshmitë kryesore në bazë të së cilës janë dënuar me burg të përjetshëm të akuzuarit për vrasjen në Liqenin e Smillkovës.

Pos dëshmitarit “E1”, në cilësinë e dëshmitarit të fshehur ka qenë edhe Haki Aziri, i cili pas heqjes dorë nga ky status, u bë pjesë e të akuzuarve.

Paraprakisht, kanë dëshmuar 4 peshkatarë, 3 prej të cilëve janë romë dhe të cilët në natën e kobshme kanë qenë duke peshkuar në Liqenin e Smillkovës.