Shtrenjtohen benzinat dhe dizeli


Çmimi me pakicë i benzinave prej sonte në mesnatë rritet prej dy deri në 2,5 denarë, përderisa i dizelit për 1,5 denarë, vendosi Komisioni Rregullator për Energjetikë.

Çmimi i ri i Eurosuper BS-95 do të jetë  69,50 denarë për një litër, i Eurosuper BS 98 do të jetë 72 denarë, ndërsa Eurodizeli do të shitet nga 64 denarë për një litër. Për një denar rritet çmimi i Vajit ekstra të lehtë për amvisëri dhe do të jetë  53,50 denarë për një litër.

Rritje ka edhe te çmimi me pakicë i mazutit i cili do të shitet nga 34,034 denarë për një kilogram.

Çmimet referuese të derivateve të naftës në tregun botëror në krahasim me periudhën e kaluar shtatëditore shënojnë rritje te benzina në mesatare për rreth 8,97 për qind, te dizeli ka rritje mesatarisht për rreth 5,35 për qind, te vaji ekstra i lehtë rritje mesatarisht për rreth 4,39 për qind dhe te mazuti rritje mesatarisht për rreth 10,77 për qind.

Kursi i denarit në raport me dollarin në periudhën e kaluar shtatëditore ishte 55,6238 denarë për një dollar dhe është për 0,39 për qind më i ulët nga kursi i dollarit sipas të cilit ishin formuar çmimet me llogaritje paraprake.