Shtatë raste të reja nga fruthi, një pacient në rrezik për jetë në Klinikën infektive


Shtatë raste të reja nga fruthi janë regjistruar gjatë ditës së djeshme nga të cilët një është hospitalizuar. Bëhet fjalë për një paciente 24 vjeçare nga Kumanova, nënë e fëmijës së infektuar me fruth për të cilin nuk ka evidencë për statusin e vaksinimit, informojnë nga Klinika për sëmundje infektive.

Në Klinikë, siç theksojnë, ka 31 pacientë nga të cilët 15 janë të rritur dhe 16 fëmijë.

Në rrezik për jetë është një pacient në repartin për kujdes intensiv, i cili është në ventilim mekanik të Klinikës. Me pasqyrë të rëndë klinike është një pacient 14 vjeçar me paralizë cerebrale dhe pneumoni. Me pneumoni serioze është edhe një foshnje shtatë muajshe.

Në ambulantë janë kontrolluar edhe gjashtë pacientë të cilët janë lëshuar në mjekim shtëpiak nga të cilët njëri është një fëmijë shtatë vjeçar nga shkolla fillore “Tefejyz” në Çair, për të cilin nuk ka të evidentuar status të vaksinimit. Të tjerët janë të moshave të ndryshme ndër të cilët më i riu i moshës 22 vjeçare, ndërsa më i moshuari i moshën 44 vjeçare, të cilët janë nga Shkupi përveç një pacienti i cili është nga Gostivari, informojnë nga Klinika.