Shqiptarët sot festojnë 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit


Shqiptarët në mbarë botën sot e shënojnë 106 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit.

Si sot, 106 vite më parë, delegatë nga e gjithë Shqipëria, mbërritën në Vlorë, për të ngritur flamurin, datë që në histori njihet si Dita e Flamurit. Në atë kohë, kryengritje të shumta, shpërthyen në të gjitha zonat e Ballkanit.

Më 28 nëntor të vitit 1912, plaku i urtë i Vlorës, Ismail Qemali, rreth orës 14:00, përpara qindra njerëzve ngriti flamurin kombëtar, duke shpallur në këtë mënyrë pavarësinë e Shqipërisë.

Pak muaj më vonë, goditja e madhe e flamurit të Bashkimit, u dha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, ku Shqipërisë etnike iu copëtuan disa pjesë, duke lënë jashtë territorit të Shqipërisë shumë zona.

Sot Festa e Flamurit festohet kudo ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët, Shqipëri, Maqedoni, Kosovë dhe diasporë.

Me rastin e Ditës së Flamurit Kombëtar Shqiptar si dhe të shpalljes së pavarësisë, sot në hotel Aleksandar Pallas në orën 13:00 organizohet Akademi solemne nën përkujdesjen e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Ndërkaq, nën organizimin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Shkup, u organizua pritje për shënimin e 106 vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, “28 Nëntorin”, ku kanë qenë të pranishëm funksionarë të lartë shtetëror, si kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferri, kryetari i BFI-së, Sulejman ef. Rexhepi, zëvendëskryeministri për eurointegrime Bujar Osmani, përfaqësues të gjitha partive politike shqiptare, si dhe ministra e funksionarë të ndryshëm nga LSDM-ja.

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Sh.T. Fatos Reka ka uruar gjithë shqiptarët në këtë festë madhështore duke përkujtuar edhe rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë midis dy shteteve./Gazeta e Pavarur