Shqipëri, vrasja e Azem Hajdarit, i akuzuari Izet Haxhia kërkon përballje me Sali Berishën


Izet Haxhia kërkon rihapjen e çështjes së vrasjes së Azem Hajdarit dhe përballjen ne gjykatë me ish-kryeministrin, Sali Berisha. Në seancën e  parë të zhvilluar në Gjykatën e Tiranës,  Haxhia theksoi se denoncimi ndaj tij është bërë prej ish-kryeministrit, madje foli dhe për një marrëveshje të bërë në “Rogner” për ekzekutimin e disa personave mes tyre edhe të Haxhisë. Në mbështetje të kërkesës për rihapjen e procesit, avokati i Haxhisë paraqiti dhe një raport të SHIK mbi vrasjen e Azem Hajdarit natën e 14 shtatorit 1998. Nga ana e tij Prokurori  kërkoi kohë që të shprehet ndaj dhe seanca u la për tu zhvilluar në datën 14 qershor.

Gjykata e Tiranës ka zhvilluar seancën e parë të shqyrtimit të kërkesës së Izet Haxhisë për rivendosjen në afat dhe rihapjen e çështjes së vrasjes së Azem Hajdarit, për të cilën është dënuar me 25 vite burg në mungesë.

Në daljen e parë  para togave të zeza, Izet Haxhia kërkon,  të përballet me ish-kryministrin Sali Berisha.

Në sallë Haxhia pretendoi se ka prova që do të zbardhin sipas tij të vërtetën e vrasjes së së Hajdarit.

Ai foli për një marrëveshje të bërë në vitin 2000 në një hotel në qendër të Tiranës për të ekzekuzuar disa persona, mes tyre edhe Izetin.

Izet Haxhia: Denoncuesi dhe akuzuesi im Sali Berisha ka një marrëveshje të bërë në “Rogner” për të ekzekutuar disa persona. Mes tyre edhe mua. Disa i vranë, mua jo.  Une jam akuzuar per vrasjen e Azem Hajdarit 2-3 vite pasi une isha në Turqi. Une nuk i jam larguar drejtesise, por kane qene disa rrethana te tjera qe me kane bere te mos jem ketu. Erdha tani qe te perballem me drejtesine. Akuzuesi im eshte Sali Berisha, por ai nuk ka pranuar te perballet me gjykaten. Jam ketu te perballem me te verteten.

Avokati mbrojtës, Bashkim Nikolla, kërkoi rihapjen e çështjes. Për këtë ai  ka paraqitur një dokument të Shërbimit Informativ Kombëtar, i cili ishte raport për vrasjen e Hajdarit, ku sipas Nikollës, Haxhia nuk është përmendur asnjëherë si bashkëpunëtor në vrasjen e 14 shtatorit të vitit 1998 pak metër larg selisë së PD.

Me këtë argument  avokati kërkoi rigjykimin e Haxhisë, pasi në të gjitha shkallat procesi është zhvilluar në mungesë  dhe pa dijeninë e tij.

Për këtë ai shtoi se i akuzuari nuk ka lëshuar asnjë lloj prokure për avokatin që e ka përfaqësuar në gjykimin e Shkallës së Parë dhe në apel.

Ndërsa shtoi se vetë Izet Haxhia nuk ka bërë deklarime përpara organeve proceduese.

Pala e akuzës e përfaqësuar nga prokurori, Petrit Bici, kërkoi kohë për tu shprehur në lidhje me  kërkesën ndaj dhe seanca u la për tu zhvilluar në 14 qershor.

Në seancën gjyqësore mori pjesë edhe një nga familjarët e Izet Haxhisë, Ismet Haxhia, si dhe miku i tij, Romeo Kara, ish-avokat i OSHEE-së.

Izet Haxhia u dënua për  veprën penale “vrasje me paramendim” të kryer në bashkëpunim të Azem Hajdarit dhe u deklarua i pafajshëm për veprën penale të vrasjes me paramendim, kryer në bashkëpunim të Besim Çerës dhe të vrasjes së mbetur në tentativë të Zenel Nezës./oranews