Shpresat e Selës te matematika me numrat e deputetëve


Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela shpreson se Venko Filipçe, kandidat për ministër të Shëndetësisë nga radhët e LSDM-së nuk do të marrë 61 vota në Kuvend, shkruan SDK.mk.
Burime partiake për SDK.mk thonë se Sela ende taktizon me lëshimin e koalicionit qeveritar edhe pse e ka të qartë se me propozimin për zv kryeministrin për reforma atij po i tregohet dera për dalje nga Qeveria.

Sela shpreson se Filipçe në Kuvend nuk mund t’i marrë 61 votë për t’u zgjedhur ministër i Shëndetësisë. Këtë shpresë Sela e bazon në matematikën aktuale me numrat e deputetëve të cilët e mbështesin Qeverinë.

Koalicioni LSDM-BDI aktualisht ka mbështetjen e 60 deputetëve. LSDM ka 49, BDI 10, RDK 1 apo gjithsej 60 dhe pa 2 votat e Aleancës Filipçe e ka vështirë të marrë 61 votë.

Për këtë arsye pushteti do të duhet t’i bindë të votojnë për Filipçen, deputetin Çedomir Sazdovski, i cili është deputet i pavarur dhe Amdi Bajramin, i cili lëshoi koalicionin me VMRO-në dhe tani vepron si deputet i Lidhjes së Romëve.