Shpërthen Rama: BE me dy fytyra


Kryeministri shigjeton Bashkimin Evropian, e cilëson të dyfytyrë. Denoncon zvarritjen e çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe heqjes së vizave për Kosovën. Tregon skandalin e zyrtarëve të BE, i kërkuan ministrit të Punës që të heqë emërtimin Republika e Kosovës në fjalimin te një mbledhje e përbashkët dhe reagon: “What the fuck!”. Furi kritikash dhe ndaj Serbisë: Po përdor tre fytyra duke ia futur Kosovës dhe po fiton vazhdimisht nga BE. Shpallet plani ambicioz, bashkim Shqipëri-Kosovë deri më 2025, gjithnjë në kuadër të integrimit

Nga Edison Kurani

Kryeministri Edi Rama, zgjodhi Kosovën, për të nxjerrë “dufin” ndaj mënyrës së papranueshme siç tha ai, që Bashkimi Evropian po procedon me shqiptarët e Kosovës dhe me proceset integruese.

Si asnjëherë më parë, dje në Pejë, Rama ishte shumë i ashpër me BE, por edhe me Serbinë, pasi evidentoi disa problematika që të çonin në përfundimin se si Brukseli ashtu dhe Beogradi, ishin duke operuar me dy e më shumë standarde me Prishtinën.

Rama, e konsideroi BE me dy fytyra, organizmin evropian ku Shqipëria dhe Kosova aspirojnë të aderojnë.

Deklarimet e Ramës u bënë fillimisht në mbledhjen e pestë të përbashkët ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës që u zhvillua në Pejë, ku u nënshkruan 9 marrëveshje dhe protokolle të bashkëpunimit dypalësh. Tone dhe më të ashpra, Rama përdori te konferenca për shtyp, menjëherë pas mbledhjes.

Rama gjatë mbledhjes së dy qeverive

Në fjalën e tij, z.Rama vlerësoi shtetndërtimin në Kosovë duke pohuar se për Shqipërinë, Kosova është një shtet i pavarur, sovran, i barabartë me të ngjashmit e tij, nën një regjim kushtetues demokratik dhe liberal, garancia dhe qenësia e normalizuar e të cilit është çelësi i stabilizimit përfundimtar dhe i ndërlidhjes rajonale në një pikëpamje afatgjatë.

Duke pohuar se Kosova lindi si shtet për shkak të një drejtësie të munguar, Rama kujtoi faktin se e drejta ndërkombëtare, nuk njeh gjysmë-shtete dhe u shpreh se “mbetemi të zhgënjyer nga qasja e Bashkimit Europian dhe e të gjithë atyre shteteve që janë në themel të Pavarësisë së Kosovës në raport me të drejtën për lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj”.

Rama kritikoi faktin që Kosova nuk u pranua në Interpol dhe fajësoi sidomos Serbinë. “Frenezia me të cilën Serbia po bllokon pranimin e Kosovës në instanca rajonale dhe ndërkombëtare, e deri tek kurajoja e pashpjegueshme për të kërkuar tërheqjet e njohjeve të Kosovës si Republikë, nuk është thjesht shqetësuese, është sfiduese deri në dekurajimin e vetë procesit të dialogut dhe është provokuese deri në nevojën për reagime proporcionale”, – tha kryeministri.

Në këtë pikë ai vlerësoi se tarifa 100 për qind ndaj produkteve që importohen nga Serbia nuk është luftë tregtare por një vendim politik, “krejt normal në kushte irracionaliteti, si ato që përvijon vijimisht qasja e dyfytyrtë e Serbisë”.

Këtu Rama denoncoi dhe një fakt tronditës: “Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale i qeverisë së Kosovës më tregonte mbrëmë se si në Beograd, deri në 2 të natës, me anë të të dërguarve të Europës i kërkonin të hiqte fjalën Republika e Kosovës nga fjalimi që do mbante të nesërmen në një mbledhje të përbashkët ku edhe Kosova ishte e pranishme me vullnetin e mirë për të nënshkruar një deklaratë të përbashkët në rrugën e paqtimit dhe të bashkëpunimit rajonal”.

Menjëherë më pas erdhi dhe shpërthimi i parë i Ramës ndaj BE: “What the fuck!” – do të thuhej në gjuhën e Parlamentit Europian”.

Kryeministri e cilësoi skandaloz këtë veprim kur shtoi se ministrin e mbajtën “deri në dy të natës, me presione, në anglisht jo në serbisht, presione të përbashkëta të partnerëve në Beograd dhe në Bruksel, që ai të heqë fjalën Republika e Kosovës në fjalimin e tij”.

Rama u ndal gjatë në ato që i cilësoi dyfytyrësi të BE në raport me Shqipërinë dhe Kosovën, kur shpalli planin për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën deri në vitin 2025, duke shtuar se ky bashkim vjen në kuadrin e integrimit në BE.

“Unë ftoj Kryeministrin Haradinaj që të bashkohet me mua në nevojën që të vendosim një fond për dy Ministritë e Jashtme dhe dy Ministritë e Jashtme të fillojnë punën për të bërë një dokument analitik dhe strategjik; Shqipëria, Kosova dhe rruga e bashkimit të shqiptarëve në horizontin e vitit 2025. Një dokument demografik, ekonomik, social i sistemeve politike dhe të gjitha këto së bashku. Natyrisht, e di se çfarë do të thonë menjëherë në Beograd, apo kudo qoftë tjetër, por unë kam parasysh, bashkimin e shqiptarëve si një domosdoshmëri në rrugën e Bashkimit Europian.

“Bashkimi Europian duhet t’i japi fund qasjes së dyfytyrtë, – shtoi menjëherë më pas Rama, duke vijuar: “Një fytyrë për Shqipërinë, një fytyrë për Kosovën. Shqipërisë i thotë do hapim negociatat sot, do hapim negociatat nesër. Kosovës i thotë do liberalizoheni sot, do liberalizoheni nesër dhe ndërkohë, ajo që ndodh, është që Serbia vazhdon hap kapituj dhe po ia del duke përdorur tre fytyra, ndërkohë ne kemi një fytyrë. Fytyra jonë është kuq e zi dhe me fytyrën tonë kuq e zi, ne jemi gati t’i qëndrojmë përballë të gjitha sfidave kuqezi që janë sfida të përbashkëta për të rritur ekonominë, prosperitetin e për të garantuar ardhmërinë e kombit tonë, e kombit tonë shqiptar me dy shtete”.

“Dy shtete që i duam të integruara në Bashkimin Europian, dy shtete që i qëndrojnë të gjitha parimeve të të drejtës ndërkombëtare dhe i qëndrojnë të gjitha amaneteve të të parëve tanë. Të parët tanë i kemi të përbashkët, dy shtete që nuk kanë ndërmend të mbeten si vrima e fundit e kavallit në historinë e lodhshme të muzikës së këtij kontinenti, qoftë në Bruksel, qoftë në Beograd”, – theksoi z.Rama.

Më tej ai shigjetoi dhe një herë, tre fytyrat e Serbisë: “Serbia duhet të jetë e gatshme të ulet në tavolinë me një fytyrë, jo me dy fytyra. Madje me tre në fakt, një fytyrë për Kosovën, një për Shqipërinë dhe një tjetër për komunitetin ndërkombëtar. Të zgjedhë cilën fytyrë do të përdori në marrëdhënie me shqiptarët dhe ne jemi të gatshëm t’i rrimë përballë me të njëjtën fytyrë që do të zgjedhë Serbia”.

“Shqiptarët po mbahen peng”

Edhe në konferencën për shtyp, Rama lëshoi mesazhe të drejtpërdrejta ndaj BE dhe Serbisë: “Është e papranueshme dhe e pajustifikueshme që shqiptarët e Kosovës vazhdojnë mbahen peng i dinamikave të brendshme dhe i zgjedhjeve në vendet e Bashkimit Europian. Presin të mbarojnë një herë zgjedhjet këtu, të vazhdojnë zgjedhjet atje, të mbarojnë zgjedhjet atje, po jo se kemi edhe zgjedhjet europiane, ndërkohë që na kanë ardhur këtu, na kanë ardhur në Tiranë dhe na kanë rrokanisur kokën, “kaloni demarkacionin me Malin e zi dhe pastaj do ju heqim vizat”. Ndërkohë që Serbia, jo vetëm që nuk ka viza, por është në kapitullin e negocimit, pa e njohur fare Kosovën. Kosova duhet të bënte demarkacionin, një shtesë kati pa leje, si të thuash, në kuptimin figurativ. Kosova e bëri atë dhe tani nuk kuptohet mirë, ose më saktë, kuptohet po nuk thuhet, që prisni një herë se kemi ca halle ne këtu, se na mërziten ekstremistët këtu e na mërziten ekstremistët atje. Kjo është e papranueshme”, – theksoi Rama.

Në vijim ai paralajmëroi: “Sigurisht, ne jemi të vegjël për të pasur forcën t’i ndryshojmë këto gjëra në konfiguracionet e shteteve më të mëdha, që kanë edhe gurin, edhe arrën në dorë, por ne sidoqoftë jemi gjallë, nuk kemi vdekur akoma. E në këtë aspekt, ne do të vazhdojmë të çojmë përpara proceset e shqiptarëve për shqiptarët”.

“Mjaft me përralla, dyfytyrësia duhet të marrë fund”

Rama deklaroi se dyfytyrësia në rajon dhe BE duhet të marrë fund. “Është koha që gjërat të shikohen drejt në sy dhe gjërat të marrin fund, ashtu siç dëshirojmë për vete, edhe për fqinjët serbë, edhe për të gjithë rajonin dhe të mos na tregojnë shumë përralla dhe miqtë tanë europianë, të mos na kërkojnë më shumë sesa na mbajnë gjunjët, ndërkohë që Serbinë vazhdojnë e përkëdhelin në një formë që është e papranueshme”.

Në vazhdim, ai evidentoi një tjetër dyfytyrësi të BE karshi Kosovës: “Dyfytyrësia e Bashkimit Europian; Nga njëra anë, Serbia akoma s’njeh Kosovën dhe vazhdon hap kapitujt; Nga ana tjetër, Kosovës i thuhet, bëj demarkacionin që të të japim lirinë e lëvizjes. Në një kontinent, siç është kontinenti europian, i vetmi popull që nuk lëviz dot i lirë është populli që ishte nën diktaturë dhe lëvizte i lirë me pasaporta jugosllave, ndërkohë që është sot, një popull që jeton në shtetin e tij të pavarur dhe nuk i lejohet lëvizja e lirë. Si shpjegohet kjo? Dhe i kërkohet demarkacioni. Bëhet demarkacioni, tani na del një gjë tjetër. Pastaj do dalë një gjë tjetër. Sot, Kosova është peng i dinamikave të politikave të brendshme në vendet e tjera. Kjo është diçka e papranueshme për ne”, – tha z.Rama.

(Albanian Free Press)