Shmangia e vaksinimit, pasojat mund të jenë vdekjeprurëse


Maqedonia është në grupin e vendeve me rrezik të lartë të përhapjes së sëmundjeve infektive. Kjo si pasojë e zvogëlimit të numrit të fëmijëve, të cilët nuk pranojnë vaksina. Një rënie e dukshme e dinamikës së vaksinimit ka qenë në periudhën e kaluar në Maqedoni, sipas të dhënave më të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, shkruan gazeta KOHA. Krahasuar me vitin e kaluar edhe këtë vit, ka një rënie për të gjitha vaksinat me përjashtim të vaksinës MRP (vaksina kundër fruthit, shytave dhe rubeolës), e cila megjithëse ka një rritje të parëndësishme krahasuar me vitin e kaluar, ende është i ulët në fushëveprim, nën 90 për qind.
Mjekët pediatër vazhdojnë të apelojnë që prindërit të mos ndalojnë në vaksinimin e fëmijëve të tyre. Mirëpo, duke u përpjekur për t’i “mbrojtur” fëmijët nga autizmi, prindërit i lënë ata të ekspozuar ndaj sëmundjeve shumë të rrezikshme të fëmijërisë, të cilat shoqërohen me pasoja të rënda.
Nëna A.M konsideron se vaksina është e dëmshme për fëmijën e saj, me autizëm dhe ajo kërkon që të bëhen analiza gjenetike, për të vërtetuar nëse fëmija nuk reagon normal. Ajo është e hutuar nga ato që lexon në internet, sepse ka raste që disa doktor mendojnë që vaksina është negative për fëmijën që ka probleme, disa të tjerë nuk mendojnë kështu. Sipas këtij prindi vaksinat kanë përherë një efekte të kundër, sidomos kur bashkë me vaksinën fusim bakterien që të krijojë antitruptha, për të mbrojtur organizmin e njeriut.

Megjithatë, shmangia e vaksinimit, sipas mjekëve, do t’i lë fëmijët të pambrojtur nga sëmundje me pasoja deri vdekjeprurës.

Mjekja Gjylshene Murati, apelon që fëmijët patjetër të marrin vaksinat për t’u mbrojtur nga sëmundjet e rrezikshme. Ajo tregon se vajzën e saj e ka vaksinuar, për arsye se janë disa sëmundje të rrezikshme që po rikthehen dhe ato mund të parandalohen vetëm me vaksina adekuate. Nuk mund të jetë justifikim autizmi si shkak për të shmangur vaksinat, shpjegon pediatrja, ndonëse nuk përjashtohet që të paraqiten situata të rralla që vaksina të shkaktojë komplikime, alergji, raste këto shumë specifike.

Vaksina MRP që merret në muajin e 13 të fëmijës, sipas mjekes Murati, mundet të pranohet edhe më vonë. Por këshilla e saj është që fëmija në atë moshë 10 fjalë të paktën duhet t’i shqiptojë edhe po të jenë të paqarta. Ajo shton se vajzën e vet e ka vaksinuar pa mos belbëzuar asnjë fjalë, ndërsa fëmija i saj ka filluar në muajin e 18 të nxjerr fjalë nga goja. Por ka edhe përjashtime kur shumë prindër marrin dezinformata nga rrjetet sociale, ndërsa harrojnë se ka njerëz të specializuar për problemet e shëndetësisë, sqaron mjekja Murati. Ministria e Shëndetësisë së bashku me ministrinë e Arsimit dhe atë të Punës Sociale po merren me këtë problem dhe po shqyrtojnë mundësitë për ndërmarrjen e masave, të cilat do të kishin përfshirë në vaksinim të gjithë popullsinë. Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë ka lënë në dorë të zgjedhin vetë prindërit nëse do të vendosin që vaksinojë fëmijën e tij ose jo, ndërkohë që tërhiqet vërejtja një fëmijë i pavaksinuar dhe me infeksion mund të shkaktojë sëmundje infektive tek shumë fëmijë.

Ndryshe, nga raporti i Institutit të Shëndetit Publik thuhet se refuzimi i vaksinimit nga ana e prindërve është nën ndikimin e lobit kundër vaksinimit në Maqedoni. Kjo edhe për shkak të ndikimit të disa punonjësve shëndetësorë, kryesisht mjekë (mjekët e familjes, pediatrit dhe gjinekologët) të cilët rekomandojnë vonesa të vaksinimit për në një moshë më të madhe të fëmijës. Kjo situatë i referohet vaksinimit MRP dhe HPV, duke rezultuar në mbulimin më të ulët për të dyja vaksinat. Gjithashtu, rivaksinimi që kryhet në moshën shkollore është i ulët, ndonëse Ligji është i qartë dhe i prerë se vaksinimi patjetër duhet të kryhet. (koha.mk)