Shkup: Paralajmërohet protestë kundër rasteve të montuara


Gjatë ditës së sotme, kryetari i shoqatës së të Burgosurve dhe Dëmtuarve politik Shqiptar, Shpëtim Pollozhani ka paralajmëruar protestë, kundër rasteve të montuara e të fabrikuara që nga periudha e 2001 gjer më ikjen e ish pushtetit. Sipas njoftimit protesta do të mbahet në Shkup në Sheshin Gjergj Kastriot Skënderbeu më datën 23/02/2018 ne ora 13.00.

Thirrja e plotë:

“Protesta mbahet në shenjë revolte kundër të gjithë proceseve të fabrikuara që nga viti 2001 gjer në nderimin e pushtetit, pas zgjedhjeve parlamentare.
Protestojmë kundër akt-gjykimeve të fabrikuara në bazë të dëshmitarëve të fshehur- shpifur dhe kundër dhjetëra shkeljeve procedurale për sjelljen e vendimeve- dënim me burg të përjetshëm për dhjetëra shqiptarë.
Kërkojmë rigjykim për rastin “Alfa”, “Lagja e Trimave”, dhe shumë rasteve të tjera”, thuhet në thirrje.

Sipas informacioneve, moto e protestës do të jetë: E verteta në shesh, në burg dergjen njerëz-prindër të pafajshëm.

Për Këshillin e familjarëve të burgosurve në procese të fabrikuara,
Shpetim Pollozhani, kryetar i Shoqatës së të Burgosurve dhe të Dëmtuarve Politik Shqiptarë./ Shkup 15/02/2018