Shilegov zgjidhet kryetar i BNJVL-së, Ganiu nënkryetar, VMRO bojkoton mbledhjen


Kryetari i Qytetit të Shkupit Petre Shilegov është zgjedhur kryetar i Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL), ndërsa nënkryetarë u zgjodhën Visar Ganiu nga komuna e Çairit dhe Mitko Jançev nga komuna e Kavadarit.

“Sot mbajtëm seancën konstituive të Bordit drejtues të BNJVL-së, ku Asambleja e përgjithshme me shumicë votash zgjodhi anëtarët dhe kryetarët e tyre, mandat të cilëve u zgjat 4 vjet. Kam nderin që u zgjodha kryetar i Bordit të BNJVL-së, gjithashtu u zgjodhën dhe nënkryetarët, kryetari i Kavadarit Mitko Jançev dhe kryetari i Çairit Visar Ganiu. Këtë funksion e kuptoj si një funksion që sjellë përgjegjësi më të madhe, sepse paraardhësit tanë disa prej tyre arritën të bënin përparim në decentralizimin e pushtetit, por kjo është një sfidë që mbetet para kësaj përbërjeje të Bashkësisë dhe para kësaj një Bord drejtorësh dhe para meje si drejtor i tij”, tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.

Visar Ganiu u shpreh se zgjedhja e tij si nënkryetar i BNJVL-së, është një përgjegjësi më e madhe për të, por edhe ideja që të afirmojnë komunat të cilat i udhëheqin.

“Është nder dhe përgjegjësi që të jem nënkryetar i BNJVL-së, kuptohet që ne marrim përgjegjësi në të ardhmen dhe kuptohet që qëllimi i këtij organizimi apo forumi të cilin ne do ta udhëheqim në të ardhmen, është që sa më tepër t’i afirmojmë komunat tona, problematikat e tyre dhe t’i mbrojmë interesat e komunave dhe të bashkëqytetarëve të cilët jetojnë në ato komuna”, tha Ganiu, kryetar i Çairit.

Në seancën konstituive nuk morën pjesë kryetarët e komunave të VMRO-DPMNE-së me arsyetimin se qeveria po ushtron drejtwsi selektive.