Shilegov: “Drislla” do të ketë koncesioner të ri pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale


Këshilli i Qytetit të Shkupit e ndërpreu mbledhjen e sotme të 30-të, në rend dite të së cilës ishin dy pika, lidhur me zgjedhjen e partnerit privat për kryerje të veprimtarisë së koncesionimit dhe investim në Ndërmarrjen publike për deponim të mbeturinave komunale “Drislla”.

Mbledhja u ndërpre me kërkesë të kryetarit Shilegov, i cili si shkak e ceki mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale, ndërkaq edhe se kjo do të mbahej pas përfundimit të zgjedhjeve.

“Gjatë periudhës së kaluar e analizuam me shumë kujdes gjendjen e përgjithshme me projektin “Drislla”, me ç’rast kryem kontroll në procedurën e plotë nga fillimi i saj, e deri në aktvendimin e fundit gjyqësor. Lëndë e analizës ishin proceset, procedurat dhe evaluimet që u kryen, me ç’rast janë gjetur anomali serioze. Para jush është parashtruar vendimi, i cili është i qartë dhe i cili thotë se qyteti i Shkupit duhet ta ketë konsorciumin të kryesuar nga “Sholc AG” për partner në “Drislla”. Unë jam i gatshëm që kur të hapet debati, tërësisht ta sqarojë analizën, për atë se ku janë bërë gabime në procesin e kaluar, si dhe përse ka ngecur i tërë procesi. Ajo që është e qartë është se përfundimisht qyteti i Shkupit do të ketë kapacitet dhe deponi siç i ngjan, e para së gjithash kapacitet që do të realizojë të ardhura. Dëshiroj që procesin tërësisht ta nxjerrim nga kontradiktat juridike që e ndjekin që nga fillimi. Në momentin kur e parashtruam këtë pikë para jush, u paraqitën disa dilema, ndërkaq, meqenëse janë shpallur zgjedhje për presidentin, unë propozoj ta ndërpresim mbledhjen dhe zgjedhjen ta bëjmë menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve”, tha sot kryetari Shilegov.

Ai përmendi se u është dhënë urdhër shërbimeve për procedurë për ndërprerje të marrëveshjes me konsorciumin FCL Ambiente SRL dhe Unieko SCC COOP nga Republika e Italisë, si dhe se në periudhën derisa nuk zgjedhet koncesioner i ri Qyteti i Shkupit do ta marrë menaxhimin me Ndërmarrjen publike për deponim të mbeturinave komunale “Drislla” – Shkup.