Shfaqet një rast me fruth edhe në Tetovë


Një punonjës i kujdesit shëndetësor, i punësuar në Shkup është rasti i parë i paraqitur me sëmundjen e fruthit në Tetovë. Rasti është regjistruar më 18 janar, ndërsa pacienti ndodhet në mjekim shtëpiak, informojnë nga Qendra e Shëndetit Publik në Tetovë. Institucionet kompetente vazhdimisht punojnë për kërkimin dhe gjetjen e personave të pa vaksinuar. Nga atje theksojnë se në Tetovë numri i personave të pavaksinuar janë të moshës parashkollore.

“Ata që nuk kanë marrë vaksinë, përmes pikave të shëndetit, do të ftohen në shërbime për vaksinim. Te fëmijët që duhet të kryhet rivaksinimi, deri tani nuk ka ndonjë problem, që nuk është si në rastin te ata që duhet ta marrin vaksinën e parë”, theksojnë nga Qendra e Shëndetit Publik në Tetovë.

Ndërsa sa i përket llojeve tjera të sëmundjeve ngjitëse, në Tetovë në vitin 2018 janë regjistruar 411 raste me sëmundjen e varicelës (lija e dhenve). Deri tani në vitin 2019 janë regjistruar 72 raste, ndërsa në përgjithësi e prek moshën prej 7 deri në 9 ose prej 7 deri në 11 vjeçare, por paraqitet edhe te fëmijët e moshës 5-vjeçare.

Institucionet kompetente edhe më tej theksojnë se parandalimi i vetëm nga sëmundja e fruthit është vaksinimi, e cila merret në muajin e 13 dhe është pjesë e kornizës ligjore.