Sheqerinska: Do të bëjmë gjithçka për të hyrë në NATO


Maqedonia bën angazhim maksimal për anëtarësim sa më të shpejtë në NATO, dhe nëse nuk ka zgjidhje tani, atëherë kurrë më nuk do të ketë. Kështu vlerëson ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, e cila thotë se Maqedonia bën gjithçka nga ana e saj për të plotësuar kriteret e aleancës, por se nuk mund të mbajë përgjegjësi për veprimet që do të bëjë pala greke në lidhje me kontestin e emrit.

RADMILLA SHEKERINSKA, MINISTRE E MBROJTJES

“Nëse nuk ka vullnet për zgjidhje tani, atëherë zgjidhje nuk do të ketë. Megjithatë mendoj se shumë është me rëndësi që Maqedonia shumë qartë njoftoi se ne jemi të gatshëm, se ne punojmë dhe se ne jemi të interesuar për zgjidhje dhe atë këtë vit dhe jo pas 10 viteve. Nëse këtë e bëjmë atëherë edhe qeveria e Greqisë duhet mirë ta dëshmojë se pse nuk është e gatshme të investojë në siguri më të madhe në fqinjësinë e tyre”.

Ministrja Shekerinska vlerëson që BE dhe vendet anëtare të NATO-s janë të interesuara për sigurinë e rajonit dhe Evropës. Ndër tjera ajo theksoi se qëllimi i Qeverisë është që sa më shpejtë të ballafaqohet me katër kritikat të cilat Maqedonia i ka marrë në samitet paraprake të NATO-s, për shkak të vetos së Greqisë.

RADMILLA SHEKERINSKA, MINISTRE E MBROJTJES

“Në parim presim që raporti i KE-së në prill por edhe konstatimi i vendeve anëtare të NATO-s të dëshmojë se Maqedonia i ka tejkaluar këto sfida, edhe në aspekt të gjendjes në media, edhe në aspekt të organizimit të zgjedhjeve, por edhe në sferën e gjyqësorit dhe administratës. Qëllimi jonë si Qeveri është që t’i heqim të gjitha rezervat rreth asaj se a meriton ose jo Maqedonia anëtarësim në NATO dhe BE dhe unë jam e bindur se këtë, në pjesën e parë të këtij viti do ta arrijmë”.

Dekani i Fakultetit për Siguri, Nikolla Dujovski i pyetur nga gazetarët se çfarë mund të ndodh me Maqedoninë nëse nuk arrin të anëtarësohet në NATO, tha se Maqedonia nuk ka alternativë tjetër.

NIKOLLA DUJOVSKI, DEKAN I FAKULTETIT PËR SIGURI

“Maqedonia nuk ka alternativë, do të thotë nuk ekziston as plan B dhe as plan C, do të thotë rruga e vetme që vendin e çon drejt zhvillimit është anëtarësimi në NATO dhe BE. Pikërisht për këtë duhet çdo ditë të ndërmerren hapa të rëndësishëm”

Ministria e Mbrojtjes dhe Fakulteti për Siguri në Shkup sot nënshkruan Memorandum për Bashkëpunim, me të cilin ofrohet mundësi që studentët nga Fakulteti për Siguri të marrin njohuri praktike duke punuar në Ministri. /SHENJA/