Shëndetësi për të gjithë – me forcë!

Shkruan: Robert Nesimi

Duke ndjekur paraqitjet e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë për ikjen e punëtorëve shëndetësorë nga shteti, mu kujtua një paraqitje e ngjashme e një megafoni të regjimit për një rast tjetër. Ishte koha kur BE hoqi vizat dhe qytetarët e Maqedonisë për herë të parë mundën të lëvizin lirshëm nëpër Europë. Ishte lajm i bukur për të gjithë, përveç një grupi satelit të partisë së atëhershme në pushtet. Qëndrimin e tyre e shpalosi një megafon i famshëm i regjimit nëpërmjet një kolumne në gazetë ditore. Në të ai me të drejtë parashikoi mundësinë që heqja e vizave të shoqërohet me largim masiv të njerëzve nga shteti, por për të ndalur këtë propozoi një masë drastike. Sipas tij Maqedonia duhej të vendoste viza dalëse, pra jashtë të udhëtohet vetëm me leje nga shteti. Në atë kohë ky qëndrim kundër lëvizjes së lirë u prit me përqeshje si primitiv dhe autoritar, siç i ka hije vetëm një regjimi. Për fat të mirë qëndrimet e tilla nuk gjetën vend në politikat zyrtare të pushtetit të atëhershëm.

Dhe sapo menduam që me shembjen e regjimit dhe atmosferës që krijoi ai do t’iu vijë fundi edhe këtyre ideve retrograde, befasisht nisëm të dëgjojmë ide të tilla edhe nga pushteti i sotëm. Ç‘është më e keqja kjo nuk vjen më nga qarqe analitike e mediatike të afërta me pushtetin, por direkt nga majat e vetë pushtetit, gjegjësisht nga Ministri i Shëndetësisë. Duke folur për largimin masiv të mjekëve dhe infermierëve nga vendi, ai tha se shqyrton mundësinë t’iu drejtohet organeve përkatëse të Gjermanisë që të ndalojnë punësimin e përhershëm të punëtorëve shëndetësorë nga Maqedonia në Gjermani. Me fjalë të tjera ky ministër dëshiron të zgjidhë problemin e ikjes së mjekëve e infermierëve duke i mbajtur këtu me forcë! Në thelb copy-paste e idesë së megafonit qeveritar nga koha e regjimit.

Problemet në shëndetësi me të drejtë ishin ndër më prioritaret në programin parazgjedhor të partisë në pushtet, e më pas gjetën vend edhe në programin zyrtar qeveritar. Premtimet e SDSM-së ishin në vijë që largimi i punëtorëve shëndetësorë të parandalohet me krijimin e kushteve më të mira për punë këtu në Maqedoni, pikë së pari me rritje të rrogave në shëndetësi. U përmend madje një shifër solide prej 100.000 denarëve rrogë për mjekët specialistë. Në përgjithësi këto premtime dhe programe ishin në vijën e duhur. Me kushte më të mira pune ikja mund të ndalej krejtësisht ose të minimizohej, e madje mund të paramendohej se një pjesë e mjekëve të ikur kështu do stimuloheshin për t’u kthyer përsëri në vend. Programi për “jetë për të gjithë në Maqedoni” dukej posaçërisht tërheqës për mjekët.

Për fat të keq pas një viti e ca qeverisje të SDSM, punët në shëndetësi duket se po shkojnë kah e keqja. Rritja e të ardhurave të punëtorëve shëndetësorë është tejet modeste, ndërsa në horizont nuk duket asnjë iniciativë ose ide për reformë të sistemit të dështuar shëndetësor. Për pasojë ikja jo vetëm që nuk është ndalur, por ka marrur hov edhe më të madh. Sipas të dhënave të fundit vetëm në vitin e fundit nga vendi kanë ikur mbi 1.000 punëtorë shëndetësorë, shumë më tepër se cilido vit i kaluar. Kështu në vend të premtimeve për shëndetësi më të mirë, ne po ecim me shpejtësi drejt kolapsit total të sistemit shëndetësor. Ç‘është më e keqja ministri Filipçe me siguri ka qenë i sinqertë në deklaratën e tij. Ai dhe Qeveria me gjasë nuk kanë më ide si të përballen me kollapsin në shëndetësi dhe ju ka mbetur veçse t’i mbajnë mjekët këtu me forcë!
Me arsye ose instinkt, këtë duket se e kuptojnë shumë mirë qytetarët. Pas optimizmit fillestar pas ndërrimit të qeverisë dhe udhëheqjes së Taravarit, ngadalë po shuhen shpresat se diçka do të ndryshojë vërtetë në shëndetësi. Tregues më i mirë për këtë janë matjet e opinionit publik për besimin në institucione dhe miratimin e punës së tyre. Kështu në muajt e parë kur me ministrinë udhëhiqte Taravari, ajo u rendit e para si institucion që njerëzit e besojnë më tepër dhe nga e cila janë të kënaqur. Tani pas vetëm gjashtë muajsh nga ndërrimi i ministrit, periudhë kur ndodhi fluksi më i madh i punëtorëve, Ministria e Shëndetësisë gjendet në vendin e fundit në këtë listë. Kjo rrënie me siguri është rekord i llojit të vet. Kuptohet një pjesë e kësaj rrjedh nga probleme jashtë kontrollit të institucioneve shtetërore dhe nuk mund të pritet zgjidhje e tyre me shkop magjik. Por rrënia nga vendi i parë në të fundit për vetëm gjashtë muaj flet për mangësi serioze brenda vetë institucionit. Në rradhë të parë këtu është mungesa totale e ideve për çfarëdo reforme, që në fund detyron Ministrinë të kërkojë shpëtim te masat restriktive nga një shtet tjetër, në këtë rast Gjermania.

Për rikujtim, para gjashtë muajsh na premtohej diçka krejt tjetër. Dhe këtu nuk e kam fjalën për premtimet parazgjedhore apo programet qeveritare. Të kujtohemi se pas zgjedhjeve lokale SDSM me këmbëngulje kërkonte Ministrinë e Shëndetësisë, madje me çmimin e prishjes së koalicionit me Aleancën dhe lëkundjen e stabilitetit të qeverisë së vet. Sipas saj kjo Ministri është tepër e rëndësishme për t’iu lënë një partneri të vogël të koalicionit. Madje arroganca e SDSM shkoi aq larg sa të deklarojë se tek Aleanca ose cilado parti tjetër e koalicionit nuk mund të ketë kandidat më të mirë se ai i SDSM-së dhe se këto janë probleme me të cilat di dhe mund të përballet vetëm SDSM. Dhe për çfarë? Që në fund t’i kërkojë një vendi të huaj të na i mbajë mjekët këtu me forcë.