Shekerinska: Për një vit Maqedonia nga një shtet i izoluar u bë partner i NATO-s, i fqinjëve dhe aleatëve


Për vetëm një vit Republika e Maqedonisë nga një shtet i izoluar problematik sot është partnere e besimit të NATO-s, partnere e besimit të fqinjëve tanë dhe partner i besimit të aleatëve, deklaroi sot ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska me rastin e shënimit të Ditës së ARM-së, 18 Gushti.

Para një viti ndalova para jush në rrethana tjera – armatë e neglizhuar, reforma të ndërprera, buxhet i përgjysmuar, armatë e lënë pas dore dhe pjesëtarë të saj. Sot përfundimisht mund t’i definojmë reformat mbrojtëse dhe ta sigurojmë me meritë anëtarësimin në NATO.

Sipas saj, një vit nuk mjafton që të zbatohen të gjitha reformat, por nuk ka munguar progresi në fushën e mbrojtjes, me atë që njëra nga masat e para ka qenë rritja e rrogës për 10 për qind për të punësuarit në mbrojtje dhe rritja e buxhetit në mbrojtje për 15 për qind, me qëllim që të arrihen standardet e NATO-s.

“E kemi kthyer fokusin në reformat kyçe në mbrojtje dhe anëtarësimin në NATO me plotësim të Shqyrtimit strategjik mbrojtës dhe Strategjinë e mbrojtjes. Me këtë dëshmuam se Republika e Maqedonisë e di se çka do dhe ku dëshiron të shkojë me atë që kemi arritur një nga qëllimet strategjike, e ajo është ftesa për anëtarësim në NATO dhe fillimi i procesit për qasje në BE. Që është pasqyrim i përcaktimit të fuqishëm konsensual dhe ambicie që zgjat më shumë se 20 vite, por nevojiten rezultate, konkrete dhe të dukshme”, tha Shekerinska, duke shtuar se qëllimi është që flamuri i Maqedonisë të qëndrojë në Bruksel në NATO si pjesë e Aleancës më të fuqishme politike ushtarake.

Ajo paralajmëroi se nga shtatori do të organizohet kurs për nënoficerë gjë që nuk është realizuar nga viti 2009 dhe deri në fund të vitit do të ketë 375 ushtarë të rinj profesionistë në Armatë, ndërsa është hapur konkurs edhe për atashe mbrojtëse në Paris.

Përfitimet nga anëtarësimi në NATO do të theksohen edhe në ekonomi, vlerësoi ajo.

“Për disa javë qytetarët do të kenë shans historik që të prononcohen për një shtet më të mirë, me identitet dhe gjuhë të përforcuar, të cilat nuk do të kontestohen, me çka do të përforcohet e ardhmja për gjeneratat e ardhshme”, theksoi Shekerinska.

Në këtë kontekst theksoi se me vëmendje i përcjellin lajmet e rreme që përhapen, siç tha, të paramenduara dhe qëllimisht që t’i diskreditojnë këto procese dhe qytetarët ta humbin nga shikimi prioritetin strategjik të shtetit.

“Në këto momente të vështira madje edhe sulmi me lajme të rreme dhe gënjeshtra nuk do të na pengojnë në qëllimin tonë strategjik, që Maqedonia të bëhet shtet stabil dhe i sigurt, e cila do të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së.

Presidenti i RM-së dhe Komandanti suprem i ARM-së, Gjorge Ivanov theksoi se ARM-ja në vitet e kaluara ka plotësuar detyra të mëdha dhe në kushte kur nga viti në vit janë bërë gjithnjë e më të ndërlikuara dhe më të rrezikshme.

“Armata është rojtar neutral i integritetit territorial dhe pavarësisë së vendit. Ajo e mbron kufirin, sovranitetin, sigurinë dhe unitetin e Republikës së Maqedonisë. Armata u ka ndihmuar qytetarëve të saj në përballje me fatkeqësitë natyrore, ndërsa merr pjesë edhe vazhdimisht në misionet paqeruajtëse në mbarë botën”, tha Ivanov.

Sipas tij, kontributi i Maqedonisë nuk është simbolik, por përmbajtësor. Edhe pse Maqedonia ende nuk është në NATO, Armata e RM-së de facto është në NATO dhe për këtë vendi nuk kthehet nga rruga e planifikuar.

“Sfida më e madhe për armatën gjatë mandatit tim ishte në vitin 2015, me kriza e emigrantëve. Në kushte të ndasive të thella politike, protestave dhe kundër protestave, kur shumë institucione ishin paralizuar, ndërsa shumë procese ishin bllokuar, ekzistonte rrezik që territori i Maqedonisë të vërshohet nga vala e emigrantëve”, tha Ivanov, duke shtuar se Armata me sukses është ballafaquar me të gjitha sfidat dhe se plotësisht e ka arsyetuar besimin e tij dhe besimin e të gjithë qytetarëve.

Sipas tij, nuk duhet të harrohet se pjesëtarët e Armatës janë trashëgimtarë të luftëtarëve të Maqedonisë, të cilët ishin udhëhequr nga motive të pastra dhe qëllime të drejta.

“Ne nuk kemi shenjë të errët në histori nga e cila do të turpëroheshin dhe për çka do të kërkonin falje. Luftëtarët e Maqedonisë kanë luftuar për liri dhe të drejta njerëzore dhe ishin në anën e vërtetë të historisë. Ilindenasit luftuan kundër tiranisë, ndërsa partizanët kundër fashizmit dhe nacizmit. Ju pjesëtarët e ARM-së së modernizuar luftoni kundër kërcënimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit global”, tha Ivanov.

Theksoi se gjithnjë e më shumë duhet të investohet në mbrojtje, në teknologjitë bashkëkohore për shkak të kërcënimeve të reja hibride, ndërsa më i rëndësishëm është investimi në përmirësimin e standardit jetësor të Armatës, duke theksuar se lidershipi ushtarak duhet të jetë imun në presionet partiake dhe politike.

Në ceremoninë e sotme ishte bërë pranim-dorëzimi i funksionit kryeshef i SHM-së së Armatës. I deri tanishmi Metodija Veliçkovski është ndërruar me gjeneralmajorin Vasko Gjurçinovski.

Veliçkovski në pranim-dorëzimin e funksionit tha se puna më e rëndësishme gjatë mandatit të tij ishte që Maqedonia mori ftesë për anëtarësim në NATO.

Gjurçinovski duke e marr funksionin e kryeshefit të ri i 11-ti me radhë i SHM-së tha se me gjithë dijenë e tij do të kontribuojë që ARM-ja të jetë shkalla më e lartë e gatishmërisë ushtarake, me qëllim që qytetarët të jenë të qetë dhe të sigurt.

Në ceremoninë e sotme gjenerali i brigadës Metodi Haxhi Janev ishte dekoruar me medaljen Legjioni i meritës nga Armata e SHBA-së si falënderim për angazhimin e tij si atashe ushtarak në SHBA nga gushti i vitit 2015 deri në shkurt të vitit 2018 dhe për kontributin e tij për përparimin e bashkëpunimit ndërmjet SHBA-së dhe Maqedonisë në kushte të trazirave ekstreme politike në Maqedoni.

Në ceremoninë qendrore katër nënkolonelëve u ishte dhënë grada e kolonelit, përderisa grada nga gjenerali i brigadës në gradën gjeneralmajor i ishte dhënë Pavle Arsovskit. Janë ndarë edhe mirënjohje institucioneve për mbështetjen e Armatës, ndërsa shpërblime në para të punësuarve në Armatën e Republikës së Maqedonisë.

Në ceremoni morën pjesë edhe deputetë të Parlamentit, ish-ministra të Mbrojtjes dhe kryeshefa të SHM-së së ARM-së, gjeneralë të pensionuar të ARM-së, ambasadorë dhe atashe ushtarakë në RM dhe mysafirë të lartë nga shumë institucione.