SHBA: Maqedonia po shkon në drejtim të mirë, ta shfrytëzojë momentumin pozitiv për në NATO dhe BE

Maqedonia sërish po lëvizë në drejtim të duhur dhe duhet ta shfrytëzojë momentin pozitiv dhe mbështetjen nga miqtë euro-atlantik. SHBA-ja jep mbështetje parimore për aktivitetet reformuese të Qeverisë së Maqedonisë të orientuara drejt hapjes së sërishme të perspektivave për integrimin sa më të shpejtë të vendit në NATO dhe BE.

Kjo është theksuar në takimet e shefit të diplomacisë së Maqedonisë Nikolla Dimitrov në Uashington me Ves Miçel, ndihmës-sekretar shtetëror për Evropë dhe Euroazi në Departamentin e Shtetit, Hojt Brajan Ji, zëvendës-ndihmës sekretar shtetëror për Evropën dhe Euroazinë në departamentin e Shtetit dhe Molli Montgomeri, këshilltare speciale për Evropën dhe Rusinë në zyrën e nënpresidentit të SHBA-së, Majk Pens.

Miçel, siç informon MPJ-ja, theksoi se SHBA-ja mbetet fuqimisht e përkushtuar që t’i ndihmojë Maqedonisë në këtë drejtim. Ai e përshëndeti politikën e jashtme konstruktive të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe vendosmërinë për tejkalim të të gjithë çështjeve të hapura në marrëdhëniet me fqinjët. Miçel gjithashtu shprehu falënderim për kontributin e Republikës së Maqedonisë në luftën kundër terrorizmit global.

Dimitrov e njoftoi Miçelin me reformat gjithëpërfshirëse në vend për realizim të qëllimeve më të larta strategjike të politikës së jashtme – integrimin në NATO dhe BE. E theksoi edhe vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për avancimin e marrëdhënieve me fqinjët me qëllim që, siç theksoi, së bashku të krijojmë Ballkan evropian.

Në këtë kontekst ishin edhe bisedat në takimin me zëvendës-ndihmës sekretarin shtetëror për çështje evropiane dhe euroaziatike, Hojt Brajan Ji. Dimitrov hollësisht e informoi për reformat në gjyqësi, administratë, shërbimet e sigurimit dhe zbulimit dhe për gjendjet e përmirësuara në sferën e mediave. Ji vlerësoi se Republika e Maqedonisë sërish po lëvizë në drejtimin e duhur dhe e inkurajoi Qeverinë që të mbetet e fokusuar në agjendën reformuese dhe ta shfrytëzojë momentin pozitiv dhe mbështetjen evidente nga miqtë euro-atlantik.

Në takimin me këshilltaren speciale për Evropën dhe Rusinë në zyrën e nënpresidentit të SHBA-së, Molli Montgomeri, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë theksoi se Maqedonia ka shanse të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s dhe Qeveria e re është e vendosur në qëllimin që të mos e lëshojë.

Montgomeri tha se Ballkani është lartë në listën e prioriteteve të Shtëpisë së Bardhë, ndërsa Republika e Maqedonisë është një nga vendet kyçe për lëvizje përpara të gjithë rajonit. MPJ Dimitrov e vlerësoi si jashtëzakonisht të rëndësishëm rolin e lidershipit dhe angazhimin e nënpresidentit të SHBA-së, Majk Pens, në promovimin e ardhmërisë euro-atlantike të rajonit, qartë e shprehur në takimin e paradokohshëm në Malin e Zi me liderët e rajonit.

Ministri Dimitrov në Brukings Institutin kishte takim edhe me zëvendës-sekretarin shtetëror të mëparshëm Stroub Talbot, si dhe me përfaqësues të diasporës maqedonase në SHBA – Diaspora e Bashkuar Maqedonase dhe Forumi për Maqedoni demokratike.

Dimitrov sot do të marrë pjesë në konferencën e Këshillit Atlantik të SHBA-së i titulluar “Stuhia e ardhshme? Formësimi i ardhmërisë ballkanike në erën e pasigurisë” në kuadër të së cilës do të ketë fjalim në panelin me temë “Rrezik i madh, shpërblim i madh: Ballafaqimi me sfidat afatgjate politike të Ballkanit”.