SHBA-ja uron presidentin e sapozgjedhur Stevo Pendarovskin


SHBA përgëzon presidentin e sapozgjedhur, Stevo Pendarovski për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, kumtoi sot Departamenti amerikan i shtetit.

“I përshëndesim qytetarët e Maqedonisë së Veriut të cilët e realizuan të drejtën e tyre për të votuar. Zgjedhjet ishin të qeta dhe konkurruese, ndërsa rezultati e vërtetoi vullnetin e popullit. E përshëndesim edhe raportin preliminar të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për zgjedhjet e zbatuara”, thuhet në kumtesë.

Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR në konferencë shtypi dje në Shkup vlerësoi se përgjithësisht zgjedhjet presidenciale kanë qenë të qeta, të zbatuara mirë dhe me epilog të suksesshëm.

Nga Departamenti amerikan i shtetit shtojnë se SHBA-ja është partnere e fuqishme e Maqedonisë së Veriut.

“Uashingtoni është i gatshëm të bashkëpunojë me presidentin e sapozgjedhur Pendarovski, me Qeverinë dhe me të gjitha partitë politike në momentin kur Maqedonia e Veriut është duke u përgatitur të bëhet anëtarja e 30-të e aleancës së NATO-s dhe bën progres si anëtare e ardhshme e BE-së”, thuhet në kumtesë.