Sfida për të parin e Besës do të matet në dy kongrese


Kastriot Rexhepi, anëtar i kryesisë qendrore i Lëvizjes BESA, njëherit edhe mbështetës i krahut të Bilall Kasami, mbrëm në “Click Plus” tha se Lëvizja BESA po i bën përgatitjet e fundit për mbajtjen e kongresit.

Ai informoi se kongresi do të mbahet më 24 shkurt në Hotelin “Holiday In”, ku gjithashtu potencoi se ekziston vetëm një Lëvizje BESA dhe jo dy.

Nga ana tjetër Orhan Murtezani, gjithashtu anëtar i kryesisë qendrore të kësaj partie dhe mbështetës i “krahut të Shkupit”, për Zhurnal thotë gjithashtu se ekziston vetëm një Lëvizje BESA e cila me shumicë shkarkoi ish kryetarin Kasami.

Ai tha se do të njoftohet opinioni kur do të mbahet kongresi i partisë dhe për vendodhjen dhe njëherit ftoi që të gjithë ata që dëshirojnë të maten me shumicën le të urdhërojnë në kongresin në fjalë.

“Ekziston vetëm një Lëvizje BESA e cila me shumicë në datë 6 janar e shkarkoi ish kryetarin dhe emëroi ushtrues detyre deputetin Nexhbedin Kahremani. Kjo shumice edhe po bën përgatitje intensive për mbatjtjen e kongresit të partisë. Të gjithë ata që dëshirojnë të maten me shumicën le të urdhërojnë në kongresin tonë”, ka deklaruar për Zhurnal, Orhan Murtezani, zëdhënës i Lëvizjes BESA.

Ndryshe, të dy krahët e Lëvizjes BESA, ajo e Shkupit dhe Tetovës intensivisht po zhvillojnë takime me qytetarët dhe degët për të organizuar kongresin e parë të partisë. Por në bazë të deklaratave të të dyja krahëve ndoshta mund të kemi edhe dy kongrese paralele në këtë parti, por kjo mbetet të shifet.