Sfida për Besën vazhdon apo ka mbaruar!?


Gjykata Themelore Shkupi 2 ka sjell vendim që Bilall Kasami të jetë kryetar legjitim i Lëvizjes Besa, kështu ka theksuar Bilall Kasami në një press konferencë për media.

“Gjykata solli vendimin që ne e kemi thenë shumë herë në paraqitjet tona publike se Lëvizja Besa është një dhe ajo jemi ne. Me këtë vendim të gjykatës refuzohet kërkesa e pabazuar e grupit tjetër joformal duke u’a bërë me dije se organet e partisë zgjidhen nga anëtarët e saj. Të gjithë individët që në të ardhmen nuk do të reshtohen në Lëvizjen Besa, por do vazhdojnë të keqpërdorin emrin e partisë, ndaj të njejtëve do merren masa juridike konform ligjeve të shtetit”, tha Kasami.

Sipas tij, me këtë vendim Lëvizja Besa do të vazhdoj fuqishëm të dominojë në skenën politike me vizion të qartë politik.

Menjëherë pas press konferencës së Kasamit ka reaguar pjesa tjetër e Lëvizjes Besa, të cilët shprehen optimist se procedura gjyqësore për Besën ende nuk ka mbaruar.

“Pasi që disa nga falsifikuesit e dokumentacionit të mëparshëm të Lëvizjes Besa sot dolën në press dhe nëpërmjet mediave që gjoja se për marrjen e legalitetit të Lëvizjes Besa, dëshirojmë të sqarojnë për opinionin e gjerë se ky është mashtrimi i tyre i radhës. Në fakt fjala është për vendimin e shkallës së parë që është sjellë në bazë të dokumenteve të falsifikuara nga ish-përfaqësuesi juridik i Besës, por kontesti vazhdon. Këtu po sqarojmë se Gjykata Themelore do të prononcohet përsëri pasi që së shpejti pret vendimin e Gjykatës Administrative për falsifikimin e dokumenteve. Por edhe epilogun e padisë nga Prokuroria e Përgjithshme ndaj falsifikuesit gjë që detyrimisht pritet ta ndryshojë edhe vendimin e shkallës së parë” tha në konferencë për media, Zejd Rexhepi.

Se si do të përfundoj ky epilog dhe se a do të vazhdojë procedura gjyqësore edhe më tej,  mbetet të shihet.

Lëvizja Besa synonte që të jetë subjekt i fuqishëm opozitar shqiptar, por rezultati i dobët në zgjedhjet lokale, më 15 tetor vitin e kaluar, reflektuan keq brenda partisë. I gjithë skenari i ndarjes bazohet në dokumentet e shkarkimit të Bilall Kasamit nga delegatët e Lëvizjes BESA më datë 6 janar./nezavisen

Armend Murseli