Vazhdon “seriali” i partisë opozitare shqiptare, beteja për Besën zhvendoset në Gjykatë?

“Seriali” rreth Lëvizjes Besa prej ditës në ditë fiton dimensione të reja. Edhepse lideri i larguar i Lëvizjes Besa Bilall Kasami për TV21 tha se edhe përkundër turbulencave të brendshme, prapseprap ai deri në organizimin e Kongresit të parë, do të mbetet lider i Besës. Për “Nezavisen Vesnik” përfaqësues të “krahut të Shkupit” të Lëvizjes Besa deklaruan se Kasamin nuk e pranojnë si lider të partisë dhe se ai duhet të kuptoj dhe pranoj se tashmë nuk është njeriu i parë i Besës.

Përderisa Kasami me kokëfortësi promovon demokraci partiake, ai nga funksionet partiake largoi Afrim Gashin dhe Skender Rexhepin të cilët ishin dy kandidatët potencial më serioz për pozitën e kryetarit të Besës. “Nezavisen Vesnik” e kontaktoi Skender Rexhepin – Zejdi i cili nga Kasami publikisht kërkoi me emër dhe mbiemër ti shpall personat që ishin pjesë e mbledhjes në Tetovë. Njëkohësisht, Zejdi paralajmëroi Kasamin se nuk ka mandat të flet në emër të partisë përshkak se me veprat e tilla dëmton partin.

“Bilall Kasami është përjashtuar nga pozita njeriu i parë i Besës dhe ai nuk mund edhe më tutje të flet në emër të funksionit, që është zgjedhur në mënyrë legale nga shumica e Komitetit qendror legjitim partiak. Dihet se në mbledhjen e fundit kur u votua për largimin e tij, prej 108, të pranishëm ishin 64 anëtarë, parashtrohet pyetja cilët anëtar ishin me të në Tetovë? Unë personalisht ishte e pamundur që njëkohësisht të jem edhe në Tetovë edhe në Shkup. Kështuqë, 64 anëtarët që ishin në Shkup, me emra dhe mbiemra publikisht janë shpallur dhe nëse ata kanë guximin, në këtë rast Kasami, është e rradhës të tregojnë se cilët persona ishin të pranishëm në mbledhjen në Tetovë, dhe të njejtët publikisht të shpallen me emër, mbiemër dhe fotografi që e gjithë struktura e Besës ta di. Është e thjeshtë, ai i Likovës dëshiron të di se kush e ka përfaqësuar atë në Tetovë e kush në Shkup. Sipas kësaj logjike, nëse Bilall Kasami nëse dëshiron edhe më tej të qëndroj në pozitën kryetar partie, për të njejtën ai mund të kandidohet, ose ndonjë delegat të kandidoj emrin e tij në Kongresin vijues. Tashmë, ai është i larguar nga kjo pozitë dhe për fat të keq dëmton shumë partin dhe strukturat partiake”, tha Zejd.

I pyetur se sa janë mundësitë reale që në Kongresin vijues të kandidohet për kryetar partie, Zejd tha se për të më i rëndësishëm është ideali sesa pozita tek Besa.
“Unë asnjëherë nuk kam pretenduar të bëhem njeriu i parë i Lëvizjes Besa. Për mua më humane dhe më i rëndësishëm është ideali dhe interesi i partisë dhe jo indvidi. Tre vite maksimalisht iu përkushtova partisë, me aq sa kisha mundësi, dhe deri më sot nuk kisha asnjë përfitim. Nuk kam qenë as deputet, as kam udhëhequr me ndonjë pozitë të rëndësishme, as kryetar komune dhe kjo është shumë e ndershme. Për mua nuk ishte me rëndësi se cilin funksion do ta kem, por i rëndësishëm është ideali. Për këtë arsye asnjëherë nuk kam shfaqur dëshirë për pozitën udhëheqëse, sepse për këtë do të vendosin delegatët në Kongres”, deklaroi Zejdi.

Pas takimit të kryeministrit Zaev me Kasamin, në opinion u paraqitën spekulime se dy deputetë që u rreshtuan pas Kasamit mund të tejkalojnë dhe të bëhen pjesë e shumicës parlamentare, por nga Qeveria ndaj këtyre informatave u përgjigjën se një skenar i till nuk është i mundur pasiqë në takimin mes Zaevit dhe Kasamit është biseduar për reformat e jo për koalicion qeveritar.
Mirëpo, akoma nuk dihet se çfarë do të ndodh me grupin parlamentar të Lëvizjes Besa, pasiqë dy deputet u rreshtuan në anën e Kasamit ndërsa tre të tjerë në anën e liderit të përkohshëm Nexhmedin Kahremani.

Në ndërkohë, TV24 nga krahu i Shkupit i Lëvizjes Besa mëson se nëse Gjykata administrative nuk e pranon Kahremanin si kryetar të Besës, nuk përjashtohet mundësia që ky krah të formoj parti të re me të cilën do të udhëheq pikërisht Kahremani. Sipas burimeve të TV24, krahu i Shkupit i Lëvizjes Besa veçmë ka dërguar kërkesë deri tek Gjykata dhe janë në pritje të përgjigjes.

Largimin nga detyrat partiake të dy funksonarëve të lartë të Besës, Afrim Gashi dhe Skender Rexhepi – Zejd nga ana e Kasamit, sipas një pjese të njohësve të çështjeve politike në vend, vlerësohet si hap antidemokratik i Kasamit. Gazetari dhe politikologu Xhenur Iseni për “Nezavisen Vesnik” konsideron se me largimin e Gashit dhe Skender Rexhepit, faktikisht Kasami ka dëshmuar se është “totalitarist” i cili tejkalon hapat demokratike brendapartiake.

“Me vet faktin që ka shkarkuar dy funksionarë të lartë të partisë dhe për këtë vendim nuk ka informuar opinionin, tregon se personi që i ka shkaktuar nuk ka vepruar në mënyrë demokratike. Vendimin e tij ia publikuan gazetarët dhe jo ai personalisht. Kjo tregon se te personi në fjalë primare është sintagma “Nëse unë nuk jam i pari, nuk do të jesh as ti” , gjë që asocon në totalitarizëm dhe autoritarizëm dhe ska të bëj fare me demokraci brendapartiake. Politikbërja mund të bëhet brenda në parti edhe nëse nuk je i pari. Përgjegjësi për humbjet duhet të ketë, por në rastin konkret po tregohet forca e muskujve dhe jo ajo e trurit, se po të ishte treguar kjo e dyta, sot nuk do të ndodhte kjo që po ndodh në Lëvizjen BESA. Mendësia tribaliste nuk është në fjalorin e demokracisë. Ka dallim mes “të jesh me profesion politikan” dhe “të jesh politikan profesionist”, deklaroi Iseni.

Blerim Ismaili