Senatori amerikan Xhonson: Dilni dhe votoni me 30 shtator në referendum


Senatori amerikan, Ron Xhonson i fton të gjithë qytetarët e Maqedonisë të dalin dhe të votojnë në referendum me 30 shtator sepse Marrëveshja e Prespës është mënyra e vetme që Maqedonia të hyjë në NATO. Senatori Xhonson, i cili në mëngjes u takua me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev në Qeveri, në konferencë për media disa herë përsëriti se është shumë e rëndësishme të dilet të votohet, pa marrë parasysh se si, të dilet të votohet dhe të tregohet se çfarë mendohet për zgjidhjen e kontestit të emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, transmeton Portalb.mk.

“Shumë e rëndësishme për Maqedoninë dhe Greqinë të kenë zgjidhur çështjen e emrit. Të dy vendet kanë dy liderë të guximshëm, kryeministra që investuan në përpjekje të madhe për ta zgjidhur këtë kontest. Ajo është e vetmja mënyrë ku Maqedonia mund të bëhet anëtare e NATO-s”, deklaroi senatori Johnson.

Seantori Xhonson është një ndër bashkëpunëtorët më të mëdhenj të presidentit amerikan, Donald Tramp i angazhuar për misione speciale. Xhonson është kryesues i Nënkomitetit për bashkëpunim të sigurisë evropiane dhe rajonale.

Senatori republikan, për herë të fundit në rajon ishte në shkurt kur i vizitoi Beogradin dhe Prishtinën.

Xhonson në ngjarjet e tij publike merret me angazhim të Uashingtonit për integrim të vendeve të rajonit në BE dhe NATO.