Sela: Shqiptarët me Kushtetutën e re duhet të jenë popull shtet formues


Shqiptarët çdo herë kanë qenë PRO anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE dhe këtë shans historik tani e shohin si një moment plus dhe një ndihmesë që të arrijnë barazinë e shumë kërkuar ndër vite. Kështu u shpreh kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela gjatë nisjes zyrtare të fushatës për përkrahje të referendumit me moton “për NATO dhe BE“, informon MEDIAL.

“Do të duhet ta kuptojë qeveria aktuale se NATO-ja nuk është vetëm anëtarësimi i vendit në një strukturë ushtarake, por NATO mbi të gjitha është një drejtësi, është e drejtë. NATO është të largosh nga radhët tua politikanë të korruptuar dhe jo ti ruash ata me çdo çmim në mënyrë që të shkelësh të drejtat e popullit të cilët kushtimisht thënë i përfaqëson. Qeveria ka alternativë, zv/kryeministrat e Qeverisë mund të zëvendësohen, ajo që nuk ka alternativë është anëtarësimi i vendit në NATO dhe BE. Prandaj të nderuar, vëllezër dhe motra shqiptare jepeni votën atje ku kemi bërë pjesë çdoherë” deklaroi Sela.

Sela gjithashtu tha se deputetët e tij nuk do të votojnë ndryshime kushtetuese të cilat mund të janë në dëm të shqiptarëve. Sipas tij ASH-ja ka mbikëqyrur sistematikisht procesin e Marrëveshjes me Greqinë dhe ka alarmuar situatën në momentet kur kishte propozime me tendenca për tu “sllavizuar” Maqedonia.

“Aleanca për Shqiptarët nuk do të lejojë që të fshihen shqiptarët nga të qenurit element shtet-formues. Aleanca për Shqiptarët kur nuk do të votojë diçka që është në dëm të shqiptarëve, do të votojë gjithçka që është në të mirë e përgjithshme të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, por pa shkelur dinjitetin dhe autoktoninë e shqiptarëve në vend”, u shpreh kryetari i ASH-së Ziadin Sela.