Sela: SHBA dhe Gjermania të ndikojnë në zgjidhjen e çështjes së emrit


Profesori universitar, Ylber Sela nga Instituti për Studime Politike dhe Ndërkombëtare në Shkup thotë se sfidë më vete është përgatitja e opinioni grek për arritjen e një ujdie mes Maqedonisë dhe Greqisë.

Sela thotë se pavarësisht që në opinion ka informacione të pakta, beson se është arritur përparim i dukshëm në shumë tema që janë pjesë e bisedimeve, ndërkohë siç thotë ai, do të nevojitet ndërhyrja e qendrave vendimmarrëse për të përafruar dallimet.

“Ka kohë për të arritur deri te një zgjidhje, sepse akoma shumë gjëra nuk janë thënë për opinionin. Do të thotë bisedimet zhvillohen sa të hapura aq edhe të mbyllura. Maqedonia në procesin e bisedimeve është në fund të gjysmë finales. Tani po afrohet finalja dhe ka shumë hapësirë për shpresa se zgjidhja e kontestit të emrit do të ndodh”.

“Në Greqi nuk është edhe aq pozitiv opinioni sa i përket zgjidhjes së kontestit për çështjen e emrit. Megjithatë shpresoj se faktori ndërkombëtarë, sidomos SHBA dhe Gjermania, po edhe fqinjët përreth të ndikojnë në zgjidhjen e çështjes së emrit dhe Maqedonia të anëtarësohet në NATO sepse kjo i hap një perspektivë jo vetëm Maqedonisë, por rajonit në përgjithësi “, thotë Ylber Sela.

Ndryshe, sipas medieve greke në fundjavë është paraparë një takim kokë më kokë në Sofje të Bullgarisë mes kryeministrave të dy vendeve, Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Tcipras, i cili do të zhvillohet në margjinat e Samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor ku sipas ekspertëve pritet të filtrohen më shumë detaje rreth ofertave përfundimtare nga ana e të dyja vendeve që do të çonin kah zgjidhja e kontestit.