Sela: Mësuesit tanë na mësuan si ta duam kombin dhe atdheun


Kryetari i Aleancës për shqiptarët (ASH) Ziadin Sela ka uruar 7 Mrasin- Ditën e Mësuesit.

“Mësimet dhe këshillat e juaja, mësues të dashur, do na përcjellin gjatë gjithë rrugëtimit jetësor. Një mësues i mirë është si një qiri: Ai konsumon vetveten për t`ua ndriçuar rrugën të tjerëve. Nëse rrugët tona sado pak janë të ndritura atëherë kjo dritë është falë punës dhe përkushtimit tuaj”, theksohet mes tjerash në urimin e Selës.

Urimi i plotë:

“Një thënie e huaj thotë: “Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë”, andaj, me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, si një ngjarje e rëndësishme kombëtare, kujtojmë mësuesit tanë të parë që na i mësuan shkronjat shqipe, na mësuan si ta duam kombin dhe atdheun.

Janë këto fjalë jo për të folur për vlerat e juaja sepse ato nuk maten me asnjë njësi matëse, por për të shprehur falënderimin dhe përuljen tonë përpara veprës dhe misionit tuaj madhor e fisnik.

Është pak më e lehtë të analizohet ndonjë vepër, por kur e gjithë jeta është vepër atëherë e jona ngelet vetëm ta nderojmë dhe vlerësojmë me respektin më të madh. Mësimet dhe këshillat e juaja, mësues të dashur, do na përcjellin gjatë gjithë rrugëtimit jetësor. Një mësues i mirë është si një qiri: Ai konsumon vetveten për t`ua ndriçuar rrugën të tjerëve”. Nëse rrugët tona sado pak janë të ndritura atëherë kjo dritë është falë punës dhe përkushtimit tuaj. Urime festa e 7 marsit të nderuar mësues“.