Sela e fton në duel televiziv, Ahmeti: Nuk e di me cilin lider të dal në mejdan


Pas debatit mes kryeministrit Zoran Zaev dhe liderit të opozitës maqedonase VMRO-DPMNE Hristijan Mikcovksi, opinioni shqiptar në vend kërkon debat identik edhe të liderëve të partive politike shqiptare, në veçanti debat mes liderit të partisë në qeveri BDI, Ali Ahmeti dhe liderit të opozitës shqiptare Aleanca për Shqiptarët, Ziadin Sela.
Në lidhje me duelin televiziv lideri i Aleancës Sela për Zhurnal u shpreh i gatshëm në çdo moment për tu ballafaquar me Ahmetin.

“Unë kam bërë ftesë rradhazi për duel me Ahmetin. Edhe gjatë debateve ku kam qenë i ftuar por edhe gjatë fushatave zgjedhore kam ftuar për duel televiziv. Unë vazhdoj të jem i hapur për debat. Ku të dojë, kur të dojë, në cilin medium të dojë dhe me cilin gazetarë të doj le të zgjedhë Ali Ahmeti dhe unë do jem aty”, ka deklaruar për Zhurnal, kreu i opozitës shqiptare në Maqedoni, Ziadin Sela.

Për burimin e njejtë “Zhurnal” lideri i BDI-së Ali Ahmeti u kundër përgjigj.

Pas ftesës publike të Liderit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela që përmes një prononcimi për Zhurnal ia bëri kreut të BDI-së, Ali Ahmetit për një duel televiziv, vjen kundërpërgjigja e këtij të fundit.

Ahmeti në një prononcim ekskluziv për Agjencinë e Lajmeve Zhurnal shprehet se në skenën politike janë shfaqur shumë lider dhe nuk di se me cilin të del në mejdan. Ai turpërohet për këtë dukuri që po ndodhë në skenën politike shqiptare në Maqedoni.

“Po ka shumë lider te shqiptarët, dhe nuk e di me kë me dalë në mejdan. Në opozitë mbetet edhe z.Kasami. U bëmë gazë i botës dhe turp i botës me dhjetra parti. Me të vërtetë nuk di njeri si t’i trajtojë, me vjen turp seriozisht kur kemi takime me ndërkombëtarët me dhjetra lider shqiptar të Maqedonisë”, ka theksuar ekskluzivisht për Zhurnal, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.