Sela: BESA dhe PDSH parti që i rrinë pas Zaevit për t’u bërë pjesë e Qeverisë


Tashmë është konfirmuar hyrja e BESË-së së Afrim Gashit dhe PDSH-së në Qeveri dhe se kjo është konfirmuar edhe nga ana e dy partive por edhe nga kryeministri Zoran Zaev.

Megjithatë përpjekje deri në orët e fundit për të qenë pjesë e Qeverisë bëri edhe Lëvizja BESA e Bilall Kasamit, por kjo dështoi pasi që nuk ishin dakord me ofertën që iu bë nga ana e Zaev-it dhe pas refuzimit nga BESA e Gashit për të qenë bashkë në Qeveri.

Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët gati se do të ngelet opozita e vetme shqiptare pasi që braktisi Qeverinë dhe nuk kalkuloi për rikthimin e saj.

Kreu i kësaj partie Ziadin Sela theksoi kohë më parë se do të jenë në opozitë dhe se nuk do të jenë në asnjë kombinim të qeverisjes aktuale.

Sela ka theksuar se kryeministri Zoran Zaev nuk meriton mbështetje.

“Unë i kam dhënë mbështetje kur u zgjodh kryeministër, sot ai nuk e meriton mbështetjen për besim”, ka thënë Sela.

Ai ka komentuar edhe hyrjen e partive tjera shqiptare në Qeverinë e Zaevit.

“Edhe tani me shumë shqetësim e ndjekin këtë garë kush i pari të bëhet pjesë e Qeverisë dhe kush më mirë ti shërbej kryeministrit. Këtë logjikë fatkeqësisht e them me keqardhje, është logjikë e Nikolla Gruveskit dhe e instaluar gjatë 10 viteve të regjimit të tij i cili mbante të dy partitë shqiptare si rezerva të mundshëm për tu bërë pjesë e Qeverisë, duke ulur pazarin politik jo të dy liderëve, por të shqiptarëve”, është shprehur Zijadin Sela.