Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit së shpejti pushon së ekzistuari


Së shpejti në vend të Sekretariatit për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit  do të formohet Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive, njofton “Alsat-M” i cili ka siguruar draft versionet e propozim ndryshimeve të ligjit për Qeverinë dhe ligjit për organizimin e organeve shtetërore, të cilat pritet të hynë në procedurë parlamentare dhe të miratohen para fushatës së zgjedhjeve presidenciale.

“Kemi nisur bisedimet me partnerët e koalicionit dhe urojmë që shumë shpejt ata dy ligje për themelimin e Ministrisë së re për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive të gjendet para deputetëve dhe të gjejmë përkrahjen e së paku 2/3 së deputetëve në Kuvend. Me këtë ministri zëvendësohet Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit ashtu siç ishte rekomandim i autoriteteve të Brukselit dhe vlerësoj se do të tejkalojmë situatën ku tashmë e kemi miratuar të gjithë pjesën normative që rrjedh nga Marrëveshja e Ohrit”, tha për televizionin Artan Grubi, deputet i BDI-së.

Deputetët në draft sugjerojnë që kjo ministri përveç kompetencave të sekretariatit, të marrë edhe një pjesë të kompetencave të Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Kulturës.

Sipas Propozim – ligjit në përbërje të Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive janë: Drejtoria për zhvillim dhe avancim të arsimit në gjuhën e pjesëtarëve të bashkësive, Drejtoria për afirmim dhe avancim të kulturës së pjesëtarëve të bashkësive.

Sekretariati do të pushojë së ekzistuari menjëherë nga hyrja në fuqi e ligjit kurse ministri i cili do të drejtojë dikasterin e ri do të zgjidhet në afat prej tre muajsh nga hyrja në fuqi e ndryshimeve. BDI-ja shpreson që të udhëheqë me këtë dikaster edhe pas riorganizimit të tij.

Nga Qeveria, siç transmeton Alsat-M, deklarojnë se deri tani, në organin ekzekutiv nuk është diskutuar për këto ndryshime të mundshme.

Në kuadër të Qeverisë nuk ka një proces të tillë, nuk është filluar. Ndoshta në nivel politik mes partnerëve të koalicionit duhet të pyesni a ekziston ndonjë iniciativë e tillë. Megjithatë, në Qeveri, nuk ka një proces të tillë, deklaroi Mile Boshnjakovski, zëdhënës i Qeverisë.