Seanca gjyqësore për rastet “Target-Fortesa”, “Tarifa” dhe “Titanik 3”


Në Gjykatën Penale në Shkup sot duhet të vazhdojnë seancat për rastet e Prokurorisë së Speciale Publike, “Target-Fortresa”, “Tarifa” dhe “Titanik 3”.

Hetimi për lëndën “Fortesa” u hap më 19 mars të vitit 2016 ndërsa për lëndën “Target” më 17 nëntor të vitit 2016, për shkak të lidhshmërisë janë bashkuar në një lëndë të vetme.

Sipas aktakuzës, përmes tre sistemeve për ndjekje të komunikimeve në DSK, në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2015 në mënyrë ilegale janë përgjuar 4.286 numra telefoni për të cilat nuk ishte dhënë urdhër nga gjykata. Komunikimi është ndjekur para se të lëshohet dhe pas përfundimit të afatit për urdhrat e gjykatës të për ndjekjen e 1 541 numrave telefonike apo në total 5 827 numra. Gjatë asaj periudhe janë përgjuar mbi 20 mijë qytetarë.

Seanca gjyqësore e fundit për rastin “Target-Fortesa” ishte shtyrë për sot me kërkesë të mbrojtjes së të akuzuarit Sasho Mijallkov sepse ai ishte prezent në të njejtën kohë në seancë në Repartin për Krim të Organizuar dhe korrupsion në Gjykatën Themelore Shkupi 1 pas ankesës së ngritur për përcaktimin e paraburgimit prej 30 ditësh në rastin “Perandoria”.

Në Gjykatën Penale gjithashtu vazhdon gjykimi për rastin “Tarifa”, lëndë e PSP-së, në të cilin të akuzuar janë ish-drejtori i përgjithshëm i SHA “ELEM” Dejan Boshkovski dhe dy persona tjerë. Bëhet fjalë për akuzë për furnizim kundërligjor të sistemit të softuerit për nevojat e kompanisë shtetërore “Elektranat e Maqedonisë” që kushton rreth katër milion euro.

Sipas akuzës së PSP-së, të akuzuarit e kanë keqpërdorur pozitën dhe autorizimin zyrtar në procedurë për furnizim publik të softuerit – “ERP Sistem”. Të akuzuarit me mosrealizimin e detyrës zyrtare kanë mundësuar që personi juridik – konsorciumi, i cili më vonë e kishte fituar tenderin, të kualifikohet në fazën e dytë të negociatave gjatë furnizimit publik, edhe pse nuk kishte dorëzuar dokumentacion të kompletuar.

Sot gjithashtu vazhdon gjykimi për lëndën e PSP-së “Titanik 3” ku të akuzuar janë Ejup Alimi dhe Ismet Guri, pasi si anëtarë të Komisionit komunal zgjedhor në Çair në vitin 2013 kanë “shkatërruar material zgjedhor”.