Rruga e Kombit, Rama flet për të vetmen gjë që cilëson problem


Kryeministri Edi Rama refuzon t’u përgjigjet akuzave të kryedemokratit Lulzim Basha se ka uzurpuar shtetin, gjykatat dhe prokurorinë.

Teksa sot fliste në konferencën për mediat pas përfundimit të konferencës ballkanike të Partive Europiane Socialiste, ai dha një koment të shkurtër lidhur me situatën e krijuar pas protestës kundër tarifës në Rrugën e Kombit.

“Problemi im sot dhe këtyre ditëve ka qenë zgjidhja që duam dhe do i japim atyre që janë realisht subjekt i sistemit të pagesës dhe patjetër që në fund do të vlejë se çdo të bëjmë për njerëzit që jetojnë në Kukës”, u shpreh Rama.

I pyetur nëse mbledhja e komisionit hetimor parlamentar për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, ishte për të shmangur vëmendjen nga seanca që po mbahet në Gjykatën e Tiranës, ku do të vendoset masa e sigurisë për 23 të arrestuarit pas protestës, ai refuzoi të përgjigjet.

“Kur unë jam me miq që flasin dhe kuptojnë vetëm anglisht, nuk i përgjigjem opozitës”, tha Edi Rama. /a.y/noa.al