Rritja simbolike e pagave, nuk e ndalon ikjen e mjekëve


Punonjësit e institucioneve publike shëndetësore nga shtatori do të marrin paga më të larta prej pesë për qind. Bazuar në të dhënat e Odës së punonjësve shëndetësorë, kjo masë do të përfshijë rreth 10 mijë persona, të cilët do të kenë një rritje që do të sillet nga 1000 denarë apo 15 euro e deri në 3000 mijë denarë apo 50 euro.

Me këtë vendim, sipas Qeverisë, veç tjerash synohet të luftohet edhe dukuria e largimit të mjekëve nga Maqedonia për shkak të mungesës së vendeve të punës, pagave të ulëta që sillen nga 300 deri në 600 euro, por edhe kushteve tjera për punë.

“Me këtë masë, Qeveria edhe njëherë tregon përkushtimin e saj për mbajtjen e punonjësve mjekësorë në institucionet publike shëndetësore në vend. Vlerësojmë se me rritjen e kompensimit për punën jashtë orarit të rregullt, kujdestarive dhe angazhimit gjatë natës, si dhe me rritjen e pagave, nga muaji shtator në mënyrë të theksuar do të përmirësohet pozita e të gjithë punonjësve në sistemin shëndetësor”.

“Në këtë kuadër, dua të theksoj se po punojmë për përmirësimin e infrastrukturës së objekteve, në modernizimin e tyre me pajisje mjekësore. E gjithë kjo vlerësojmë se do të paraqesë motiv shtesë për kolegët e institucioneve shëndetësore në ofrimin e shërbimeve cilësore këtu në Maqedoni”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, duke paralajmëruar edhe masa tjera, në veçanti vazhdimin e politikës për rritjen e pagave për mjekët specialistë deri më 100 mijë denarë apo 1.500 euro.

Por, mjekët vendimin për rritjen e pagave prej 5 për qind, e shohin vetëm si zgjidhje parciale, e madje edhe nënçmuese. Nga shoqatat e mjekëve shqiptarë, thonë se zgjidhja duhet të jetë afatgjatë dhe të përfshijë edhe mjekët e institucioneve private shëndetësore që përbëjnë 50 për qind të sektorit të shëndetësisë.

Zgjidhjen përfundimtare, Nevzat Elezi nga Shoqata e mjekëve, thotë se duhet parë në miratimin e një ligji të qëndrueshëm për mbrojtjen shëndetësore.

“Kjo duhet të rregullohet me ligj dhe jo me dëshirën e ministrit apo të ndonjë qeveritari tjetër se a do të ngrejë gishtin të japë 5 për qind apo jo. Rrogat e mjekëve të rregullohen ashtu siç janë të rregulluar rrogat e juristëve, deputetëve, e kështu me radhë. Pra, ky problem nuk zgjidhet kujt si ti kujtohet, ose me zgjidhje parciale, apo vetëm për institucionet shtetërorë, çfarë të bëjmë ne që jemi në institucione private, të lëmë punën? Të gjithë duhet të përfshihen në ligj, pra pavarësisht se ku punojnë, çështja e mjekëve duhet të zgjidhet me ligj”, thotë Elezi.

Nëse nuk ndërmerren masa serioze, sipas Elezit, largimin e mjekëve nuk do të ketë forcë që do ta ndalojë.

“Kemi hyrë në një qorrsokak në të cilin nuk shohim dalje pozitive, mendoj për shtetin, se mjekët do të gjejnë rrugën e tyre. Fatmirësisht ata rrugët e Evropës i kanë të hapura, por fatkeqësisht populli i Maqedonisë do të mbetet me shërbim shëndetësor të cunguar”, thekson Nevzat Elezi nga Shoqata e mjekëve shqiptarë në Maqedoni.

Ai thekson edhe problemin me mjekët që janë në proces të specializimit e që deri tani fare nuk janë paguar për angazhimin e tyre në institucione private apo publike, Kjo, sipas tij, edhe më shumë i motivon ata që të kërkojnë perspektivë jashtë vendit. Vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave prej pesë për qind është kritikuar edhe nga opozita e cila vendimin e ka cilësuar si populist dhe degradues për punonjësit shëndetësorë.